Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, e ka cilësuar si konstruktiv takimin e së martës në Ambasadën amerikane në Prishtinë.
Në këtë takim ku u diskutua për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, morën pjesë edhe zyrtarë nga Presidenca, Zyra e Kryeministrit, liderë partiakë, diplomatë dhe anëtarë të shoqërisë civile.
Ibrahimi tregoi se 3 çështje ishin kryesoret që u diskutuan.
“Unë mund të them se ishte një takim shumë konstruktiv ku janë dëgjuar palët e ndryshme për atë se çfarë mendojnë për çështjen e Asociacionit. Është biseduar sa i përket asaj se si mund të funksionoi ky Asociacion në praktikë, si mund të funksionoi Asociacioni sipas kornizës ligjore të Kosovës dhe si mund t’i trajtojë një mekanizim i tillë çështjet që kanë të bëjnë me shëndetësi, arsim dhe me zhvillim ekonomik”, deklaroi ai.
Tutje, drejtori i AKK-së tha se në takim është vërejtur gatishmëri për të gjetur zgjidhje për çështjen e Asociacionit.
“Kishte vullnet për të ardhmen, u shihte që ka vullnet për zgjidhjen e problemeve nga të dyja palët, por tash njëra palë reflektonte më ndryshe e tjera më ndryshe. Ne i dimë qëndrimet e Qeverisë, por ishin edhe përfaqësuesit e minoritetit serb, edhe nga pjesa veriore por edhe pjesa tjetër, por me rëndësi që ka vullnet për me bisedua dhe me gjetur një rrugë që e çon Kosovën përpara”, tha Ibrahimi për Telegrafin.
“Po shihet që SHBA-ja janë djepi i demokracisë dhe mund të marrim shumë praktika institucionale sesi duhet të zhvillohet dialogu për përmirësimin e situatës e cila është duke i brengosur shtetin e Kosovës për disa vite”, u shpreh tutje Ibrahimi.
