31 janar i vitit 1997 u solli pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një nga betejat e para madhore, shkruan InLajmi.
Ishin 3 strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha të cilët duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, ranë heroikisht në luftë bashkë me grupin e tyre të cilët ishin zënë në pritë paraprakisht në fshatin Pestovë të Vushtrrisë.
Zahirin, Hakifin e Edmondin i bashkoi një qëllim e ai ishte çlirimi i Kosovës nga forcat barbare serbe.
Zahir Pajaziti lindi me një Nëntor 1962 dhe vdiq me 31 Janar 1997.
Ishte njëri nga komandantët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Lindi në fshatin Orllan të Komunës së Podujevës dhe vdiq në Vushtrri, pasi ra në një pritë të organizuar nga forcat serbe. Njihet si Pushka e Parë e Lirisë. Pas përfundimit të luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.
Hakif Zejnullahu (22 qershor 1962 – 31 janar 1997)
Lindi në fshatin Lladoc të Podujevës. Ishte bashkëluftëtar i komandantit Zahir Pajaziti, shkollën fillore e kreu në fshat, ndërsa të mesmen në Podujevë. Vijoi studimet në Universitetin e Prishtinës.
Që në moshë të hershme ishte shumë aktiv në të gjitha lëvizjet kundër pushtetit. Së bashku me shumë shokë, miq dhe familjarë, mori pjesë aktive në demonstratat gjithëpopullore të vitit 1981, duke qenë një nga organizatorët e tyre në Podujevë.
Edmond Hoxha ishte junikasi që kishte ndër mend të krijonte përmasat e reja të traditës së tij familjare apo të Kosovës.
Duke qenë se në moshën 6, kur ishte ende fëmijë, kishte parë prangimin e burgosjen e të vëllait të tij të madh, Xhavitit, duke qenë se nga kjo kishte parë se kishte pasur dhimbje, por nuk kishte pasur thyerje, ai kishte vendosur të bëhej shtyllë e mosthyerjes, sado e dhimbshme të kishte qenë kjo./InLajmi/