Ngritja e çmimit të derivateve ka “përndjekur” qytetarët gjatë gjithë vitit të kaluar.
Si shkak i shumë ndryshimeve në botë, por edhe luftës në Ukrainë ngritja e çmimeve në derivate ka qenë jashtëzakonisht shqetësuese përgjatë gjithë kohës.
E padyshim se kësaj ngritje ekstreme nuk i shpëtuan as kosovarët.
Por çmime aspak të përballueshme nuk ka as tani.
Kjo është bërë e ditur nga kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.
Berjani ka thënë se çmimet sot janë Dizell: 1.47 cent deri në 1.60 ndërsa Benzina 1.32 deri në 1.40 cent.
“Çmimet janë të ndryshme në pika karburanti dhe qytetarët e kanë mundësinë me zgjedh se ku të furnizohen”, tha Berjani për lajmi.net.
I pyetur nëse pritet ngritje edhe më e madhe e çmimeve, ai tha se për çmimet në ditët në vijim s’mund të paragjykohet pasi ka lëvizje të mëdha në BERZ dhe në tregjet ndërkombëtare, e të cilat po reflektojnë edhe tek ne.
“Sipas informatave të cilat i kemi nga organizata prodhuese OPEC, nga fundi i muajit mars do të ketë stabilizim të tregut të çmimeve”,shtoi ai.
Ndërsa ai tha se sa i përket çmimeve në rajon, në Kosova janë më të lirat duke përjashtuar këtu vetëm Maqedoninë e Veriut që e ka akcizën në Dizell më të ulët se ne, ndërsa për Benzinë e ka më të lartë.
E për ngritje të çmimeve sot pati paralajmërime edhe në Shqipëri.
Çmimet e naftës dhe benzinës sot janë rritur sërish në Shqipëri, me vendim të Bordit të Transparencës. Nafta është rritur me 2 lekë dhe do të shitet me 210 lekë/litri, ndërsa benzina është rritur me 3 lekë, që do të shitet me 192 lekë/litri.
Ulje me 2 lekë ka pësuar gazi që do të shitet me 69 lekë/litri.
“Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 210 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 198 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 192 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 180 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 69 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 57 lekë/litër për automjetet. Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 116 lekë/litër”, është bërë e ditur në njoftimin e bordit.
Ndryshe për disa muaj radhazi, Ministria e Tregtis dhe Industrisë në Kosovë përcaktoi çmimin tavan në derivate.
Kësisoj të gjithë drejtuesit e pompave kishin për detyrë që të mbanin një çmim të njëjtë të derivateve, e kjo si shkak i ngritjes ekstreme të tyre.