Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka deklaruar se është shqetësuese heshtja dhe relativizimi i fushatës ilegale të Serbisë për çnjohje.
Ajo e ka konsideruar diplomacinë e ministres Donika Gërvalla me mungesë të strategjisë, vizionit dhe prioriteteve.
Ajo tha se rikthimi i Ivica Daçiq në krye diplomacisë serbe vitin e kaluar ishte sinjal për një ofanzivë të rinovuar diplomatike kundër Kosovës.
“Rikthimi i kthetrave të Daçiqit në krye të diplomacisë serbe vitin e kaluar ishte sinjal për një ofanzivë të rinovuar diplomatike kundër Kosovës. Në këtë situatë, aleanca ndërkombëtare e Kosovës me Perëndimin do të duhej të forcohej edhe më tej, të bëhet edhe më e fuqishme, edhe më e koordinuar, edhe më e pathyeshme. Ndërsa Kosova sot jo që nuk ka unitet politik përballë Serbisë me një front i përbashkët ‘lufte’ me partitë opozitare, por edhe koordinimin me aleatët e ka të lënduar. Të gjithë po heshtin përballë fushatës ilegale të Serbisë për “çnjohje” apo edhe më keq: po e relativizojnë atë fushatë dhe shkeljet e vazhdueshme pa e fajësuar Serbinë. Kjo duhet të na shqetësojë shumë. Në anën tjetër, Serbia po e kapitalizon mosunitetin dhe papërgaditjen tonë për të vazhduar betejën diplomatike nën kthetrat e saj të egra”, tha Haradinaj.
Gjithashtu ajo tha se njoftimet për tërheqjen e njohjes të Togos ka pasur edhe para 4 viteve ku sipas saj Serbia ka pasur pretendime për “zhbërje” të shtetit të Kosovës, dhe nga ajo kohë Kosova ka pasur shumë pak shkëmbim bilateral me Togon.
“Njoftime për të ashtuquajtura “tërheqje të njohjes” nga Togo ka patur edhe në vitin 2019, kur fushata ilegale e Serbisë me pretendimin për “zhbërje” të shtetit të Kosovës ishte në fazë intenzive dhe kur lobohej ndërkombëtarisht për idenë e shkëmbimit të territoreve dhe copëtimit të Kosovës. Prej asaj kohe, Kosova ka patur shumë pak (për të mos thënë fare) shkëmbim bilateral me Republikën e Togos. Tani që është shtuar presioni për implementimin e një asociacioni një-etnik me kompetenca ekzekutive përbrenda Republikës së Kosovës, Serbia po përdor çdo mjet që ka në dispozicion, pa u kursyer edhe nga mjetet korruptive e gënjeshtrave – për të avancuar më dëmtimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, dhe me dëmtimin e asaj që diplomacia kosovare dhe aleatët tonë tradicionalë kanë ndërtuar në Kosovë që nga paslufta”, tha ajo.
Ish-kryediplomatja kosovare tha se pa koordinim me aletatët, Kosova nuk mund të anëtarësohet në asnjë organizatë ndërkombëtare, përkundër aplikimeve.
“Tani, po shihet qartë që pa koordinim me aleatët, nismat për anëtarësimet mbeten vetëm si aplikim dhe nuk ndodhë asgjë më tutje, siç po ndodhë në të 2-ja rastet ku Kosova ka aplikuar (BE dhe Këshill të Evropës). Pra me skadimin e moratoriumit njëvjeçar, Kosova mbeti edhe pa anëtarësime, edhe pa njohje. Dhe me disa të ashtuquajtura “çnjohje” për të cilat nuk ka strategji se si t’i menaxhojë apo rivitalizojë”, shtoi ajo.
Sipas saj, për tu mbyllur kjo fushatë, MPJ-ja e Kosovës duhet të koordinohet me Departamentin e Shtetit, Këshillin e Sigurisë Kombëtarë të Shtëpisë së Bardhë, dhe me emisarët tjerë përgjegjës për dialogun Kosovë – Serbi.
“Nëse MPJ e Kosovës nuk koordinohet shpejtë me Departamentin e Shtetit, me Këshillin e Sigurisë Kombëtarë të Shtëpisë së Bardhë, dhe me emisarët tjerë përgjegjës për dialogun Kosovë – Serbi, kjo fushatë do të dëmtojë seriozisht imazhin e Kosovës si shtet, forcimin e mëtejmë të subjektivitetit tonë ndërkombëtar, dhe do të mbyllë çdo shteg për të siguruar njohje të reja”, tha ajo.
E pyetur se si e sheh diplomacinë kosovare të drejtuar nga Donika Gërvalla, ajo e konsideroi se diplomaci totalisht pasive pa strategji, pa vizion dhe pa prioritet.
Sipas saj Gërvalla nuk i ka të qarta as objektivat e saja.
“Diplomacia kosovare është totalisht pasive, pa strategji, pa vizion, dhe pa prioritete. Shihet tanimë pas 2 vitesh në detyrë, që lidershipi politik në MPJ nuk i ka të qarta objektivat afatshkurtëra dhe afatgjata të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës. Ndonëse nuk ka ndonjë arsye objektive për të parandaluar veprimin efektiv diplomatic në shohim që MPJ fatkeqësisht ka reduktuar gjithë aktivitetin e saj në çështje të brendshme administrative, dhe minimalisht në çështje politike diplomatike. Jemi dëshmitarë se as çështjet e brendshme administrative nuk po realizohen siç duhet, sipas ligjit dhe rregulloreve në fuqi, dhe sipas nevojave të brendshme të Shërbimit të Jashtëm të Kosovës, por sipas interesave e hakmarrjeve politike. Kjo pastaj po përkthehet në mospunë, në procese gjyqësore, në shpërthim akuzash publike etj. Të gjitha këto që e dëmtojnë rëndë integritetin profesional e moral të Shërbimit të Jashtëm të Kosovës”, u shpreh ajo.
Më tej ajo tha se MPJ-ja duhet të marr shembull nga lidershipi i Ukrainës që ta hap një zyre ndërlidhëse në Kiev ashtu siç bëri Shqipëria, shkruan Lajmi.net.
“MPJ do të duhej për shembull të kërkojë nga lidershipi i Ukrainës që të arrijë të hapë një Zyre Ndërlidhëse në Kiev, sidomos tani pasi që edhe Shqipëria e hapi Ambasadën e saj aty. MPJ duhet urgjentisht të hapë ambasadë në një nga shtetet Baltike – unë pata filluar procedurat që të hapet Ambasada e Kosovës në Latvi, por që fatkeqësisht po shihet se nuk u vazhdua nga qeveria aktuale, e shumë e shumë veprime të tjera të fuqizimit ndërkombëtar të Kosovës dhe marrëdhënieve të saj me botën, të cilat MPJ-së tash e 2 vite i mungojnë”, përfundoi ajo.