Kosova e Serbia ka gjasa që të arrijnë marrëveshje sivjet nëse presioni i bashkësisë ndërkombëtare do të ishte më i madh ndaj të 2-ja vendeve po vlerësojnë analistët në vend.
Por ata po e kritikojnë Serbinë se po vazhdon që të ketë qëndrime të paqarta sidomos për planin franko-gjerman, që sipas tyre po del të jetë në favor të Kosovës.
Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, tha se dialogu nuk mund të përfundojë në mars të këtij viti.
Kjo ngase sipas tij, deri më tani nuk ka takime ndërmjet 2 shteteve dhe nuk ka progres në dialog.
“Po tash unë nuk mendoj që këto afate, apo ky afat veçanërisht është i mundshëm sepse po e shohim çka po ndodhë në terren, pra herën e kaluar kur u rrit një lloj kështu dakordance për t’i ulur tensionet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, në kuadër të asaj deklarate të them ashtu të postuar nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme thuhej që ka një lloj kështu dinamike dhe intensiteti që do të ketë dialogu në mënyrë që të arrijmë deri kah pranvera marrëveshjen”.
“…prej asaj dite nuk është se ka ndodhur asnjë takim e lëre më që të kemi ndonjë përparim në procesin e dialogut dhe mendoj që me këtë intensitet më këtë tempo të dialogut është e pamundur që të arrihet marrëveshja deri në mars, pra ne tash po flasim gati se në pjesën e dytë të janarit që i bie janë edhe dy muaj deri në mars, një muaj i shkurtë që është muaji shkurt dhe muaji mars pastaj, kështu që nëse kjo intensifikohet atëherë mund të kemi një kornizë të marrëveshjes të dakorduar deri atëherë po unë nuk e di që ka ende ndonjë takim të paralajmëruar në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë Vuçiq, kështu që pa takime, pa progres në dialog nuk mendoj që mund të kemi marrëveshje” tha ai.
Ymeri shtoi se është duke i’u bërë presioni i njëjtë të dyja shteteve, si Kosovë ashtu edhe Serbisë, nga ndërkombëtarët që procesi i dialogut të përfundojë.
Ai theksoi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, nuk është i interesuar për të nënshkruar marrëveshje, sepse sipas tij, kjo marrëveshje i konvenon Kosovës.
“Po mendoj që presioni është duke shkuar në të dyja drejtimet sepse të 2 këta udhëheqës politikë, të 2 këto qeveri kanë përgjegjësi në procesin e dialogut, pra edhe nëse Kosova është absolutisht konstruktive në procesin e dialogut dhe nuk e kemi të njëjtën gjë nga Serbia, marrëveshja nuk mund të arrihet sepse këtë marrëveshje në fund do ta nënshkruajnë të 2 palët, kështu që trysnia është në të 2 anët. Të mos harrojmë se Serbia e veçanërisht presidenti i saj Vuçiq nuk janë absolutisht të interesuar për të nënshkruar marrëveshje me Kosovën sepse e dinë që kjo në fund të fundit i konvenon Kosovës, gjë që nënkupton që ne do të duhej të kishim interesim shumë më të madh për ta përfunduar procesin e dialogut sepse është në të mirën dhe në dobi të Kosovës”, tha ai.
Njohësi i çështjeve politike, Gazmir Raci, tha se viti 2023 është viti vendimtarë për dialogun dhe finalizimin e marrëveshjes sipas propozimit franko-gjerman.
Ai shton se Kosova e Serbia janë pajtuar që deri në pranverë ta pranojnë planin evropian.
“Është vit vendimtarë për dialogun e Brukselit dhe për finalizimin e marrëveshjes sipas propozimit franko-gjerman në dhjetor edhe Kosova dhe Serbia janë pajtuar edhe për afatizimin që deri në fund të pranverës do të arrihet dakordimi ose jo për dokumenti që tashmë po quhet edhe dokument i Bashkimit Evropian”, tha ai.
Sipas Racit ky plan është kundërshtuar nga Serbia dhe se presidenti i saj ende nuk është sqaruar se cili është vendimi në lidhje me këtë cështje.
“Duket që problem është Serbia sepse që nga fillimi ka pasur paqartësi në politikën e saj të jashtme edhe për propozimin franko-gjerman, sepse fillimisht kemi pasur ministrin e jashtëm të Serbisë i cili ka kundërshtuar një dokument të tillë dhe më vonë presidenti Vuçiq, i cili nuk e ka sqaruar mirë vendimmarrjen Serbe për këtë dokument”, tha ai.