Deklarata e publikuar të hënën nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ku fliste për figurën e ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq u komentua mjaft shumë, përcjell InLajmi.
Për këtë deklaratë reagoi zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, i cili tha se kryetari i kësaj partie dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, s’ka ndërruar qëndrim për sa i përket ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Më tej Manxhuka deklaroi se ajo çka Kurti ka bërë tash është kundërthënia e brendshme në Serbi, dhe siç thotë ai, vrasja potenciale e dikujt që sipas tij, praktikisht ka pasur shumë të tregojë për Serbinë, krimet në veri e bashkëpunimin me disa shqiptarë.
Postimi i plotë i tij:
Është interesante dhe po aq qesharake kur sheh disa mediume tek nxjerrin deklarime se si Albin Kurti ka thënë dikur se Oliver Ivanoviq është kriminel lufte duke e krahasuar me deklaratën e djeshme.
Asgjë nuk ka ndryshuar, ajo çka KM Kurti ka bërë tash është nxjerrja e kundërthënies së brendshme në Serbi dhe vrasja potenciale e dikujt që praktikisht ka pasur shumë të tregojë për Serbinë, krimet në veri e bashkëpunimin me disa shqiptarë.
Komunikata e VV-së ndaj dënimit të Ivanoviqit nuk është në kundërshtim me videon e djeshme, përkundrazi është avansim i asaj çka ne kemi deklaruar. /InLajmi/