Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje të rinjve të komuniteteve të ndryshme në Kosovë që të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës, përcjell InLajmi.
Kurti ftoi të gjithë komunitetet që ta shfrytëzojnë këtë mundësi, të aplikojnë dhe të angazhohen për sigurinë e të gjithë qytetarëve brenda komunave në veri të Republikës së Kosovës.

Më tej ai shtoi se Policia e Kosovës është për të gjithë me të gjithë ne dhe në shërbim të të gjithëve.
Njoftimi i plotë i Qeverisë së Kosovës:
Të nderuar qytetarë,
Republika e Kosovës është e përbashkëta jonë. Ne punojmë të gjithë së bashku dhe pa dallim për mirëqenien e vendit tonë, për ta bërë atë më të sigurt, më të jetueshëm dhe të barabartë për të gjithë.
Siguria është një nga shtyllat bazë të qeverisjes sonë, ndërsa institucionet e sigurisë janë gjithmonë pranë të gjithë qytetarëve për të mbrojtur jetën dhe pronën.
Policia e Kosovës, si një institucion që është gjithmonë me të gjithë ne, që nga themelimi i saj ka hapur dyert për dhjetëra gjenerata, djem e vajza, pa dallime në bazë etnike apo fetare. Të gjithë ata shërbejnë sot, me uniformë policie, me besnikëri dhe nder, kudo brenda Republikës.
Tani, kur jemi para fazës finale të diplomimit të një gjenerate të përbërë nga djem dhe vajza të të gjitha komuniteteve, dhe të cilët janë të gatshëm të fillojnë të ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët në vendin tonë, Policia e Kosovës ka hapur derën për qytetarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë për t’iu bashkuar me qëllim që të ofrojnë shërbimet e tyre për qytetarët tanë që jetojnë në komunat në veri të vendit.
Konkursi është i hapur deri më 26 janar. Me këtë rast ftoj të gjithë qytetarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë – serbë, boshnjakë, turq, goranë, romë, ashkali, egjiptianë, kroatë dhe malazezë – që ta shfrytëzojnë këtë mundësi, të aplikojnë dhe të angazhohen për sigurinë e të gjithë qytetarëve brenda komunave në veri të Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës është për të gjithë ne, me të gjithë ne dhe në shërbim të të gjithëve. Nuk ka dhe nuk do të ketë dallime brenda saj apo në ofrimin e shërbimeve për qytetarët tanë. /InLajmi/





















