As pas pesë vitesh nuk është zbardhur vrasja e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Ai ishte ekzekutuar me gjashtë plumba para zyrës së partisë së tij në Mitrovicë të Veriut. Familjarët dhe bashkëpunëtorët kanë ndezur qirinj në vendin ku Ivanoviq është vrarë, derisa nga aty kanë bërë thirrje për drejtësi dhe zbardhje të rastit.
Vendi ku ishte vrarë politikani serb, Oliver Ivanoviq, të hënën, u mbush me familjarë e miq të të ndjerit, privimi nga jeta i së cilit ende mbetet mister.

Pikërisht, në këtë vend më 16 janar 2018, para objektit të partisë drejtonte në Mitrovicën e Veriut ishte qëlluar me armë zjarri.
Drejtuesi i partisë opozitare “Liri Demokraci Drejtësi” në këtë vend ishte qëlluar me 6 plumba.
Për të kujtuar Ivanoviqin, familjarët dhe të afërmit kanë ndezur qirinj në vendin dhe në kohën kur ai është vrarë.
Bashkëpunëtorët e tij kanë kërkuar që ky të zbardhet sa më shpejtë dhe kryesit e kësaj vepre të vihen para drejtësisë.
“Ne nga ky vend kemi vetëm një porosi. Na intereson që pas pesë vitesh të dimë kush e vrau Oliver Ivanoviqin, kush e porositi vrasjen e tij, dhe nuk do të ndalemi së parashtruari këto pyetje”, tha Ksenija Bozhoviq- Nënkryetare e Iniciativës Qytetare ‘Liri, Demokraci, Drejtësi’.
“Arsyeja e një minute të heshtjes dhe heshtjes në përgjithësi është pikërisht kundër atyre të cilët janë duke heshtur që pesë vite, ndërsa me siguri dinë më shumë se ne, si për vrasjen, urdhërdhënësit, po ashtu edhe të kryesve. Para së gjithash e kam fjalën për gjyqësinë dhe shtetin e Kosovës, gjyqësinë dhe pushtetin e Serbisë, e cila po ashtu është duke udhëhequr hetimet paralelisht, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare, e cila që pesë vite është duke heshtur”, tha Dejan Nedelkoviq – I afërm
Meqenëse, procesi gjyqësor ka filluar tash e disa vite, avokati i njërit të akuzuar ka thënë se ende ka dëshmitarë të panjohur në këtë rast.
Ndërkaq, Amer Alija nga Fondi për të drejtën Humanitare, që e monitoron këtë rast gjyqësor ka treguar se deri ku është zhvilluar procesi.
Analisti Branislav Krstiq ka thënë se zbardhja e vrasjes së Oliver Ivanoviqit po trajtohet në mënyrë të ngadaltë nga sistemi i drejtësisë.
Deri më tani për këtë rast, prokuroria e Kosovës ka ngritur 3 aktakuza, derisa procesi gjyqësor ende është duke vazhduar.





















