Na duhet të flasim shumë, po shumë për këtë virtyt, i cili na ndihmon të forcojmë mirëqenien dhe vetëvlerësimin tonë. Nevojitet rizbulimi, por edhe kultivimi i saj për të shmangur humbjet që ndodhin në marrëdhëniet tona njerëzore.
Çdo ditë jemi të ekspozuar përpara ndodhive të panumërta, shtuar kësaj pandeminë, e cila pati ndikimin e vet në ndryshimin e rrjedhës. Çdo mëngjes është i pashmangshëm nga nxitimi, përballjet me gjykimin, shqetësimet, ankthin dhe lodhjen e akumuluar. Veprime që ndikojnë në të qenit më pak të sjellshëm me veten, por edhe me të tjerët. Por a ka vend për ca arrogancë më tepër në këto kushte trysnie? Natyrisht që jo! Ka një tension, i cili pavarësisht shkaktarëve nuk duhet të na dorëzojë. Këtë e themi shpesh, në tavolina kafenesh, ku shfryjmë dufin dhe flasim me teori të mëdha, por për ta bërë realitet e kemi të vështirë. Që në rendjen e parë të ditës përballemi me mungesë dashamirësie. Rregullat e bashkëjetesës çalojnë kudo, ndërsa kërkesa për harmoni shndërrohet në një varg mërzish. Kryqëzimet janë të larmishme. Pakënaqësi që burojnë nga disiplina të ndryshme, duke nisur nga ambientet e përbashkëta, etika e shoqërizimit, pastërtisë, shkollimi i fëmijëve, mungesë afiniteti, nga marrëdhëniet në rrugë, njerëz të shkujdesur, të pavëmendshëm, në punë, grindje të kota, ngritje zëri pa takt, në shoqëri, mungesë dëgjimesh, pëlqimesh, etj.
Duket si një kurth, a si një rreth vicioz, që nuk të lë të zhvillohesh dhe të marrësh frymë lehtë në veprimtarinë tënde. Gjendesh madje, pa dashje, dhe në veprime për të cilat pendohesh më pas me të vetmin arsyetim: se përse u gjende pikërisht aty, në kohën dhe vendin e gabuar. Njerëzit janë tejet të pakënaqur në këto kohë. Kjo gjë u shfaqet në fytyrë haptazi, nuk ka nevojë për maska veneciane. Një pjesë e mirë e situatës së agravuar i faturohet pandemisë. Por thellë duhet të kuptojnë se jo e gjitha kjo rrjedhë e ndryshuar së fundmi na nxori në pah probleme të reja. Vërtetë harresa mund të shërbejë si një element i rëndësishëm i përvojave të errëta të jetës, por kurrsesi të ndikojë tek njeriu për të harruar vlerat e vërteta, shkruan Revista Psikologjia.
Është koha të rimendojmë, të reflektojmë mbi atë që deri dje na bëri të funksionojmë si shoqëri. Të lëmë pas gjykimet, smirën, negativitetin: pse ‘ti je më lart se unë’, pse ‘ti ke atë që unë s’e kam’, pse ‘unë kam vuajtur dhe ti jo’… Të gjitha këto një njeri nuk e bëjnë dot qytetar, thjesht i kanë dhënë statusin të gjallojë mbi tokë si të gjitha qeniet e tjera, por qytetaria vjen kur ti pajtohesh me dëshirën e mirë për të pranuar ndryshimin dhe të kesh dashamirësinë për ta jetuar atë ashtu siç duhet me një komunitet gjithëpërfshirës. Një koncept i ri, mendoj, mbi të cilin duhet të reflektohet, por që natyrisht kërkon kohë, vullnet dhe energji për t’ia dalë. Mirësjellja është një burim që mund të ndikojë në mirëqenien tonë nëse do të ishim më respektues, të dashur dhe miqësorë. Ne kemi nevojë për mirësinë, midis qytetarëve që mund dhe duhet të kenë mendime të ndryshme, por që nuk ka pse të fyejnë njëri-tjetrin çdo ditë dhe të urrejnë po aq njëri-tjetrin; midis atyre që ia kanë dalë në jetë dhe atyre që kanë mbetur ca më pas. Mirësia është një përbërës thelbësor për t’i mbajtur njerëzit së bashku në çdo nivel, në mënyrë që të mos humbim pasurinë e kësaj marrëdhënieje njerëzore që kemi, për të jetuar më mirë me veten dhe me të tjerët.