Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica, tha se afër 30 mijë qytetarë kanë marrë shërbime në Klinikën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë Lokomotore gjatë vitit 2022 dhe se janë kryer rreth 2 mijë operacione, raporton InLajmi.
“Klinika e Ortopedisë në vitin 2022 ka pas shumë peripeci, mirëpo mesatarisht kemi arritur t’i realizojmë qëllimet tona që i kemi pas. Zakonisht kemi pas të pranuar 2272 pacientë, të operuar kemi 1985 e që deri në fund të vitit do t’i kryejmë 2 000 operacione, çka do të thotë se kemi rritje të numrit nga viti paraprak, ku kemi pasur ngecje shkaku i pandemisë, tani kemi përmirësime”, deklaroi ai.
Jashanica tha se lista e pritjes në këtë klinikë është nga viti 2018, ku shtoi se këtë e ka ndihmuar edhe situata me pandeminë.
“Më brengos fakti se kemi mungesë të anestezistëve dhe listën e pritjes e kemi ende të madhe. Lista e pritjes sa i përket protezave jemi në fund të vitit 2018”, shtoi tutje Jashanica.
Më tej ai tha se tani për tani ata janë duke punuar me kapacitete mesatare, duke e kryer punën në tërësi. /InLajmi/






















