Thirrjet për ndihmë nuk kanë kohë të caktuar, mirëpo zjarrfikësit çdo herë janë në krye të detyrës edhe përkundër sfidave që ata përballën në realizimin e objektivave të tyre, shkruan InLajmi.
Natyra e punës i përball ata çdo herë me rrezikun për jetën, por pavarësisht kësaj ata nuk ndalen dhe janë aty ku duhet të intervenojnë varësisht nga situata. Përveç rrezikshmërisë së lartë që kanë në kryerjen e aktiviteteve intervenuese, zjarrfikësit përballën edhe me të tjera probleme, si mungesa e sigurimit shëndetësor, mjetet e vjetruara e mos marrja e pagesës për punën shtesë.
Malë Gashi nga Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë, në një deklaratë për InLajmin foli për intervenimet që i kanë zhvilluat ata gjatë vitit 2022.
“Gjatë 11 muajve ekipet e zjarrfikësve kanë intervenuar në shuarjen e 1800 zjarreve prej tyre intervenime në objekte ndërtimore kanë qenë 236, kurse në sipërfaqe të hapura ekipet tona kanë intervenuar në gjithë 684 raste. Kemi intervenuar edhe me 103 raste për fikjen e zjarrit në automjete, kurse për të parandaluar pasojat nga zjarri kemi intervenuar në 115 raste të pajisjeve elektrike. Ndërkohë ekipet kanë intervenuar edhe kanë kryer shërbime tjera, gjithsej 339 raste të tilla”, tha Gashi për InLajmin.
Tutje Gashi foli edhe për sfidat që ata përballën çdo ditë të punës në veçanti për mjetet e vjetërsuara si dhe për stafin e mangët që padyshim penalizojnë në kryerjen e detyrave që kërkohen nga ta.
“Ne për pajisje në Prishtinë nuk jemi edhe shumë keq ka nevojë për përmirësime sidomos për automjete, si p.s vetëm 5 prej tyre e plotësojnë një prej kritereve, këto që janë të vjetra kanë edhe defekte teknike teknike”, tha ai.
Gashi, nuk ankohet për punën që e bënë por për pagat jo të dinjitetshme duke pasur parasysh rrezikshmërinë e punës që ata kryejnë.

“Sa i përket pagës nuk ka ndryshime që nga viti 2014, pagesat për orët shtesë në asnjë rast për vitin 2022 ende nuk janë paguar”, tha ai.
Ndërsa ai foli edhe për rrezikshmërinë që zjarrfikësit përballën çdo ditë të punës së tyre, ku zëdhënësi Gashi bëri të ditur se pavarësisht rrezikut që kemi si zjarrfikësve kujdesi ynë i shtuar rezulton që pasojat nga lëndimet e mundshme të jenë minimale. Pra gjatë vitit që po e lënë kemi pasur vetëm një rast lëndimi të punëtorit gjatë intervenimit në zjarrfikje.
Ai shpreson që në vitin 2023 kërkesat e zjarrfikësve të realizohen duke veçuar këtu rritjen e pagave, rritjen e numrit të punëtorëve por edhe pajisjet tjera të domosdoshme që puna e tyre të jete efikase ashtu edhe siç kërkohet me standarde. Libona Gegaj/ InLajmi/