Qeveria e Kosovës ka dorëzuar ankesë kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për pezullim të vendimit për ulje të pagave të gjyqtarëve e prokurorëve.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Sipas saj, ankesa është pranuar më 16.12.2022 e ushtruar nga Qeveria e Kosovës, ndaj Aktvendimit të Gjykatës.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Administrativ me datë 16.12.2022 ka pranuar ankesën e ushtruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ndaj Aktvendimit”, tha Gashi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë në fillim të dhjetorit ka pezulluar vendimin e Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative më 29.11.2022, ka pranuar padinë me nr. 2767/2022 ku Paditëse është Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, ndërsa e paditur është Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar anulimin e vendimit me numër 03/109 i datës 23.11.2022, i nxjerr nga e paditura, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, me kërkesë që të caktohet masa e përkohshme ndaj të paditurës, përkatësisht të shtyhet ekzekutimi i vendimit të të njëjtit, deri në përfundimin meritor të kësaj çështje në konfliktin administrativ”, thuhej në njoftimin e gjykatës.
Po ashtu, gjykata më datën 02.12.2022, ka marr aktvendim me të cilin ka aprovuar propozimin e paditëses–propozueses, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, si të bazuar dhe ka shtyrë ekzekutimin e vendimit me numër 03/109 i datës 23.11.2022, i të paditurës, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me kërkesëpadinë e paditëses.
Më 20 dhjetor 2017, Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila asokohe drejtohej nga ish-Kryeministri Ramush Haradinaj, kishte nxjerrë vendim të rritjet e pagave të kabinetit qeveritar. Sipas Ligjit Nr.03/L-199 për Gjykatat, ky vendim kishte efekt edhe në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti vendosi të mërkurën e 23 nëntorit që pagat në sistemin e drejtësisë t’i kthejë sikur para vendimit të Qeverisë, shkruan Telegrafi.
Vendimi është kundërshtuar nga Bashkimi Evropian, Shoqata e Prokurorëve, shoqëria civile e opozita.