Dr. Rifat Latifi hyri në Ministri të Shëndetësisë me 16 nëntor të vitit të shkuar, duke e zëvendësuar Arben Vitinë, mirëpo kirurgu i cili u kthye nga SHBA-të, për ta drejtuar shëndetësinë e Kosovës, pas 10 muajsh u “dorëzua” dhe la këtë detyrë, përcjell InLajmi.
Me dorëheqjen e ministrit Latifi, Ministria e Shëndetësisë mbeti në duart e zëvendësministres së, Dafina Gexha dhe kjo gjendje vazhdon edhe më, ndërsa situata në sektorin e shëndetësisë vazhdon të rëndohet nga dita në ditë.
Në lidhje me vonesën e emërimit të ministrit në MSH, InLajmi provoi të kontaktonte me zyrën për informim të Qeverisë së Kosovës, mirëpo nuk pati qasje pavarësisht përpjekjeve për të marrë përgjigje.
Ndryshe, zyrtarët e MSH-së në një përgjigje dhënë për InLajmin thanë se Zëvendësministrja e Shëndetësisë, ka kompetencë të plotë për të ushtruar detyrën e ministres dhe dikasteri që ajo drejton vazhdon funksionalitetin normalisht duke miratuar plane e strategji sipas planit vjetor por edhe nevojave të krijuara në situata të ndryshme.
“Punët në Ministrin e Shëndetësisë janë duke vazhduar dhe rregullisht janë duke u miratuar planet e parapara dhe strategjitë sektoriale. Është rrit buxheti dhe ka mjaft indikator pozitiv rreth përmbajtjes të planit te punës pavarësisht që ka edhe sfida të ndryshme të cilat janë të menaxhueshme”, thuhet në përgjigjen me shkrim të MSH-së për InLajmin.
Për mungesën e Ministrit të Shëndetësisë për InLajmin foli edhe Deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili tha se shëndetësia jonë është buzë kolapsi, pasi 2 pozitat kyçe në shëndetësi janë me ushtrues detyre.
“Shëndetësia nga prioritet i premtuar i Kurtit, është shndërruar në sektor të pazareve politike, nepotiste e klienteliste te grupeve të interesit në LVV”, shtoi Haxhiu.
Tutje tha Haxhiu se kështu pa përgjegjësi pa llogaridhënie e pa ministër nuk mund të udhëhiqet Ministria e Shëndetësisë.
Nga ana tjetër zyrtari i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, në një prononcim për InLajmin tha se mungesa e ministrit të shëndetësisë është vetëm një simptomë e faktit që Qeveria Kurti nuk e ka fare prioritet shëndetësinë.
“Trajtimi i tillë i shëndetësisë, si një çështje krejt terciare dhe e pa rëndësishme për Qeverinë Kurti, flet më së miri se si kjo qeveri nuk e ka fare mendjen tek mirëqenia dhe barazia sociale. Përkundrazi, i ka braktisur këto tema që janë shumë të rëndësishme”, tha Krasniqi për Gazetën InLajmi.
Ndryshe, mos emërimi i ministrit të shëndetësisë nga opozita vlerësohet e dëmshme për shëndetësinë e cila edhe ashtu është sektori i ndjeshëm që ndikon direkt në uljen e nivelit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët nevojtar.
Kujtojmë gjithashtu se problemet në sektorin e shëndetësisë kanë ekzistuar në vazhdimësi por mbase tani pa menaxhment ato vetëm sa do të thellohen. Libona Gegaj /InLajmi/