Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i është gëzuar lajmit se është miratuar teksti i liberalizimit të vizave për Kosovën nga ambasadorët e Bashkimit Evropian, përcjell InLajmi.
Bislimi e ka quajtur miratimin e tekstit për liberalizimin e vizave si “hap të rëndësishëm” për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Zëvedëskryeministri thotë se Kosova tashmë është drejt përfundimit të suksesshëm të këtij procesi të tejzgjatur për qytetarët e Kosovës.
Tutje, ai si faktor kryesor për avancimin e këtij procesi i cilësoi sukseset e Qeverisë së Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
Sot është miratuar nga ambasadorët e BE-së teksti mbi liberalizimin e vizave për Kosovën. Një hap tutje, tejet i rëndësishëm, që do të pasohet me aprovimin formal të rregullores mbi heqjen e vizave nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së.
Tashmë jemi drejt përfundimit të suksesshëm të këtij procesi të tejzgjatur për qytetarët e Republikës së Kosovës. Sukseset e arritura nga Qeveria veçanërisht në sundim të ligjit, puna jonë e vazhdueshme me shtetet anëtare dhe mbështetja e partnerëve tanë strategjikë, ishin faktorë kryesorë në avancimin e këtij procesi që ishte bllokuar për vite me rradhë.
Me finalizimin e liberalizimit të vizave, Kosova do të jetë një hap më afër BE-së e proceseve të integrimit evropian. /InLajmi/