Mediumi NZZ am Sonntag ka raportuar për takimet “sekrete” që janë mbajtur në Zvicër mes Kosovës dhe Serbisë. Disa mediume të tjera kanë aluduar se bëhet fjalë për takime mes përfaqësuesve të partive parlamentare kosovare dhe serbe, përcjell InLajmi.
Në lidhje me këtë, nënkryetari i LDK-së Lufti Haziri, sqaroi se formate të tilla të takimeve kanë organizuar dhe mbështetur edhe vendet e tjera.
Haziri tha se këto takime që mbështeten nga Departamenti i Jashtëm i Zvicrës kanë më shumë rol rekomandues se si të dilet nga kjo gjendje e bojkotit të institucioneve nga ana e serbëve të Kosovës.
Tutje, Haziri theksoi se LDK do të marrë pjesë në çdo tavolinë që ftohet për të diskutuar çështje të tilla.
Postimi i plotë i tij:
Përkundër që NZZ, si gazetë me prestigj të lartë, ka bërë një shkrim dhe Departamenti i Jashtëm i Zvicrës ka bërë sqarimet adekuate, tashmë dihet se prej vitit 2015, ky Departament mbështet përmes CIG-ut një takim të përfaqësuesve politikë të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut.
Ky Departament punon në rregullat e “Chatham House” dhe palët takohen sipas një orari për të diskutuar çështjet e hapura në mes të Serbisë dhe Kosovës, në linjat e dialogut të Brukselit, por që është më shumë takim rekomandues, sikur takimi i fundit i mbajtur në Zvicërr që ka dalë me një nonpaper dhe ka rekomanduar mënyrën si të dilet nga kjo gjendje e bojkotit të institucioneve tona nga ana e serbëve të Kosovës dhe rolin e Serbisë në këtë bojkot.
Formate të tilla të takimeve kanë organizuar dhe mbështetur edhe vendet tjera.
LDK merr pjesë në çdo tavolinë që ftohet për të diskutuar çështje të tilla por negocimi i vetëm mbahet në Bruksel nga ana e kryeministrit, respektivisht Qeverisë së Kosovës. /InLajmi/