Reforma zgjedhore e nisur nga Komisioni Ad-hoc nuk pritet të përfundojë punën në kohën e paraparë me ligj, për shkak të krizave të vazhdueshme politike e të sigurisë në Kosovë. Kështu vlerësojnë njohës të proceseve zgjedhore në vend.
Sipas tyre, Komisioni nuk duhet të kufizohet vetëm në adresim teknik të rekomandimeve të misionit të BE-së por që duhet të adresohen edhe shumë çështje më përmbajtjesore.
Ata e mirëpresin edhe konsensusin e partive politike sa i përket reformës zgjedhore.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokrat i Kosovës (KDI), thotë se shkaku i krizave politike në Kosovë, është e pamundur të përfundojë ky proces në kohën sa ka mandat ky Komision.
Ai ka kërkuar që të adresohen edhe çështje tjera, siç janë mënyra e numërimit, votimi me kusht, votimi jashtë vendit dhe çështja e zonave.
Për këto, thotë se mund të bëhen pa ndryshime Kushtetuese.
“Puna e Komisionit Ad-hoc tashmë është përmbyllur sa i përket dëgjimeve publike dhe diskutimeve me hisedarë, tashmë në bazë të planit të Komisionit mbetet që Komisioni të fillojë me draftimin e ligjit, për shkak se është hapi i fundit pra para përmbylljes së vet mandatit të këtij Komisioni, mirëpo duke u bazuar në krizat e vazhdueshme politike e të sigurisë që i kemi në Kosovë, është pak e besueshme që ky Komision do të arrijë që në kohë ta përmbyll këtë proces, ndonëse rekomandimet e dhëna si nga vëzhguesit vendor ashtu edhe atyre ndërkombëtare, janë mese të qarta”.
“Mirëpo pa e anashkaluar faktin që ne si shoqëri civile kemi konsideruar dhe vazhdojmë të besojmë fuqishëm që meqenëse kjo temë është duke u hapur, nuk duhet të kufizohet vetëm në adresim teknik të rekomandimeve të misionit të BE-së, por të adresohen shumë çështje më përmbajtjesore të tilla, si mënyra e numërimit, votimi me kusht e votimi jashtë vendit, e të diskutohet madje edhe për çështjen e zonave, të cilat nuk kërkojnë ndryshime kushtetuese për shkak të mospjesëmarrjes së Listës serbe, çfarëdo ndryshimi i Kushtetutës në këtë drejtim është praktikisht i pamundur”, u shpreh Cakolli.
Skeptik për këtë çështje është shprehur edhe ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu.
Ai për Ekonomia Online, thotë se reforma nuk mund të përderisa nuk ka vullnet politik, me ç’rast thotë se për një iniciativë të tillë është nisur nga 2013-ta.
“Nuk kam pas rast t’i shoh materialet sepse është një komision i formuar rishtazi nga ana e Kuvendit dhe do të shohim sesi do të veprojnë, mirëpo kjo klasë politike i ka pasur të gatshme projektligjet edhe për reformën e zgjedhjes së presidentit dhe për reformën zgjedhore, mirëpo që në 2013 nuk ka pasur dëshirë dhe vullnet që ta bëjë reformën sepse gjendja e tanishme dhe sistemi elektoral i konvenojnë kësaj klasës politike që të vazhdojnë me dekada të jetë në krye të subjekteve politike dhe t’i gëzojnë privilegjet dhe legjislacionit elektoral”.
Ai ka treguar edhe hapat deri në implementimin e plotë të reformës zgjedhore.
“Po nëse do të ketë vullnet, pse jo. Për një reformë të një palë zgjedhjeve domosdoshmërish duhet gjashtë muaj deri një vit, pra i duhet një klase politike në parlament dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionet Komunale Zgjedhore, për t’u përgatitur për të bërë reformë dhe për të bërë zgjedhje. Nëse mungon vullneti politik, harmonizimi i interesave politike që kanë partitë politike lidhur me këto tri sisteme që i përmenda, atëherë sigurisht se do të vazhdojë avazi i deritanishëm dhe do të vazhdojnë këto ligjet e UNMIK-ut”, u shpreh Baraliu.