Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca pas nënshkrimit të kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE thanë se kjo është ditë historike për Kosovës, raporton InLajmi.
Kryeparlamentari Konjufca tha se kjo është ditë e rëndësishme dhe se janë mbledhur më krenari për ta nënshkruar kërkesën për anëtarësim në BE.
“Sot është ditë e rëndësishme për Republikën e Kosovës. Jemi mbledhur me shumë krenari e përkushtim për ta nënshkruar letrën e kërkesës në emër të Kosovës për aplikim për anëtarësim në BE” tha ai.
Glauk Konjufca vlerësoi se rruga për anëtarësimin e Kosovës në BE nuk ka qenë aspak e lehtë, por të mërkurën është bërë hap ii parë zyrtar drejt kësaj rruge.
“Ky është hapi i parë zyrtar në rrugën e anëtarësimit të Kosovës drejt BE-së. Një rrugë që ishte e gjatë dhe aspak e lehtë. Ne e meritojmë të bëhemi vend kandidat dhe ta fillojmë rrugëtimin tonë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në BE, fazë që synojmë ta arrijmë në një kohë sa më shpejtë të mundshme” deklaroi kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës.
Kosova të enjtën do ta dorëzojë kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, kërkesë kjo që u nënshkrua të mërkurën nga 3 udhëheqësit e vendit./InLajmi/