Presidentja e vendit Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca kanë nënshkruar dokumentin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, raporton InLajmi
Osmani e cilësoi si ditë historike 14 dhjetorin, duke theksuar se përveç aplikimit në BE, në këtë datë shënohet edhe themelimi i ushtrisë së Kosovës.
Presidentja tha se me këtë aplikim, Kosova synon të jetë një hap më afër Bashkimit Evropian.
Sot është një ditë historike dhe është moment historik, 14 dhjetori ka një histori moderne në Republikën e Kosovës, ku shënojmë themelimin e ushtrisë tonë dhe aplikimin për në Bashkimin Evropian. Ne jemi sot së bashku për të sjellë vendin tonë një hap më afër Bashkimit Evropian. Për Kosovën dhe qytetarët e saj nuk ka pasur asnjëherë alternativ tjetër. Ky akt i dedikohet të gjithë qytetarëve të vendit tonë, por mbi të gjitha ky moment i dedikohet çdo fëmijë, gruaje e burri të Kosovës ku u përballëm padrejtësi me gjenocid”.
Në fund, Osmani u shpreh se rruga e Kosovës drejt BE-së është e qartë, duke premtuar se si krerë të shtetit do të bëjnë punën e tyre që BE ta ketë më të lehtë pranimin e Kosovës.
“Kosova është mishërim i vlerave dhe shteti më i ri në kontinentin më të vjetër, vend i mediave të lira, garantues i lirive fetare. Rruga jonë përpara është e qartë. Ne jemi të vendosur që t’ia dalim me sukses dhe ne do ta bëjmë pjesën e punës sonë në mënyrë që BE-ja ta ketë më të lehtë pjesën e punës së vet”. /InLajmi/