Disa studente të cilat banojnë në konviktin numër 5 në Prishtinë, kanë shprehur shqetësim nga prania e një pjesëtari të sigurimit në korridorin e këtij konvikti në orët e vona të natës.
Këto raste të cilat u denoncuan, u trajtuan nga Drejtoria e Qendres së Studentëve, me ç’`rast, punëtori në fjalë u pezullua nga puna.
Vlera Dani, banuese në konviktin numër 5 në Prishtinë, natën që shkoi nuk e kishte të zakonshme.
Kjo për shkak se ndjeu pasiguri në vendin ku banon. Shkak për këtë u bë roja i konviktit i cili, sipas saj, në orët e vona të natës ishte i pranishëm në një nga dhomat e vajzave në konvikt. Këtë ajo e raportoi te drejtoria e Qendres së Studentëve.
“Unë kam dashtë me ba një ankesë te roja për një problem që ka ndodh lartë dhe kam shkuar poshtë, por roja nuk ishte aty. I kishte lënë 2 vajza poshtë me ruajt në vend të tij dhe morëm vesh që ai kishte shkuar në dhomë dhe ishte me 3 vajza brenda”, tha Vlera Dani.
Sikurse Vlera, mësohet se edhe disa studente të tjera të konviktit janë ankuar. E për këtë është mbledhur në një takim drejtoria e Qendrës së Studentëve e cila ka vendosur pezullimin e punëtorit të sigurimit.
“Komisioni disiplinor për punëtorin në fjalë ka marrë masën e pezullimit, derisa komisioni t’i shqyrtojë të gjitha faktet, ankesat, deklaratat e studentëve që kanë shprehur indinjatë ndaj këtij rasti dhe ndaj personit në fjalë”, thotë Fatmir Sfishta, drejtor i Qendrës së Studentëve, raporton RTK
Komisioni disiplinor ka afat ligjor një muaj që të marr një vendim për masën disiplinore ndaj personit në fjalë.