Incidentet e së martës në veri të Kosovës krijuan një klimë të ndjeshme sigurie e tensione në rritje, prandaj mbajtja e zgjedhjeve në 4 komunat veriore mbeten “peng” të një vendimi politik të radhës bazuar në vlerësimin e situatës së sigurisë por edhe mbi bazën e sugjerimeve të zyrtarëve ndërkombëtarë, shkruan InLajmi.
Kujtojmë se organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në 4 komunat në veri të vendit rrjedhën si pasojë e tërheqjes së udhëheqësve komunalë serbë në fillim të nëntorit.
Pas vakumit të krijuar në udhëheqjet komunale në veri, presidentja e vendit Vjosa Osmani, e shpalli 18 dhjetorin, datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por kjo shkaktoi reagim të menjëhershëm nga Lista Serbe, e cila doli hapur kundër tyre.
I gjithë ky tensionim i situatës u vu edhe në pah edhe më shumë gjatë ditës së martë, kur edhe pati shpërthime në veri, derisa edhe zyrtarët e KQZ-së u pengun nga grupet e qytetarëve serbë, që të kenë qasje në zyrat e tyre.
Ekspert i sigurisë Nuredin Ibishi, në një deklaratë për InLajmin vlerësoi se “kërcënimi” që iu është bërë zyrtarëve të KQZ-së tregon qartë se Serbia me çdo kusht e ka synim pengimin e zgjedhjeve në veri përmes grupeve kriminale që veprojnë në atë pjesë.
“Përdorimi i mjeteve shpërthyese nga persona të maskuar në zyrat e KQZ-së, kërcënimi i personelit të martën në 2 vendvotimet, në Zubin Potok dhe Mitrovicën veriore tregon qartë se Serbia i ka grupet kriminale në veri të Kosovës, andaj me çdo kusht po mundohet ta pengojë votimin për kryetarë të 4 komuna në pjesën veriore”, tha Ibishi.
Eksperti i sigurisë situatën në veri të Kosovës e konsideron të brishtë sa i përket sigurisë, ndërsa sipas tij kjo gjendje e filluar me dorëheqjet e kryetarëve, policëve, prokurorëve e gjyqtarëve serbë nga institucionet e Kosovës, po shkon duke u “acaruar” sidomos pas incidenteve të së martës atje.
Me gjithë shqetësimet që kemi, eksperti Ibishi, shpreson se situata nuk do të eskaloj meqë në atë pjesë tashmë janë shtuar masat e sigurisë ku përveç pjesëtareve të KFOR-it dhe EULEX-it atje është shtuar edhe numri i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, kuptohet në koordinim me përgjegjësit për sigurinë dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës.
“Situata deri tani ka qenë e qetë, por me caktimin e datës së zgjedhjeve në veri, të domosdoshme pasi serbët u larguan nga institucionet e drejtësisë, sigurisë pasuar me dorëheqjen edhe të kryetarëve në 4 komuna në veri. Pengimi i procesit për organizimin e zgjedhjeve në veri, prishja e qetësisë publike, përdorimi i armëve dhe kërcënimeve ndaj zyrtarëve të organit kompetent për organizimin e zgjedhjeve ka bërë që situata është tensionuar për çka edhe është shtuar numri i pjesëtarëve të sigurisë në 4 stacionet policore”, theksoi Ibishi, për të shtuar më pas se në koordinim me institucionet ndërkombëtare të sigurisë që veprojnë në Kosovë është shtuar edhe numri i pjesëtarëve të sigurisë përgjatë kufirit me Serbinë.
“ Përveç dërgimit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në 4 stacionet policore në veri, në koordinim me KFOR-in dhe EULEX-in, janë dërguar forca policore shtesë në pjesët e kufirit ku dyshohet se po bëhet futja e armëve ilegale”, u shpreh Ibishi.
Të gjitha zhvillimet në veri të vendit, me theks incidentet e fundit rindezën tensionet me këtë edhe krijuan klimë të pafavorshme për organizimin e zgjedhjeve në 4 komunat e veriut.
Situata e tensionuar në veri nuk lë hapësirë që atje të mendohet për një proces zgjedhor të qetë, prandaj eksperti i sigurisë “dyshon” për efekte pozitive të organizimit të zgjedhjeve sidomos në këto rrethana, sikur që sugjeron edhe respektimin e deklaratës së ambasadorit amerikanë Jeff Hovenier.
Ibishi thekson se pavarësisht se tani nuk ka kushte që në 4 komunat e veriut të organizohen zgjedhjet, megjithatë mbajtja e zgjedhjeve në veri është vendim politik mbi bazën e vlerësimit të situatës.
“Tash është çështje e vendimit politik se a janë kushtet për zgjedhje. Mund të mbahen zgjedhjet, por realiteti është që edhe SHBA, më konkretisht ambasadori amerikan është shprehur se nuk janë kushtet për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Përfaqësuesi i EULEX-it në Kosovë, si dhe zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë shprehur shqetësim për shkak të situatës së tensionuar në atë pjesë”.
Rikujtojmë, se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se vendet e lira në veri të Kosovës, pas tërheqjes së serbëve nga institucionet, duhet të plotësohen shpejt dhe se nuk mund të presim kthimin e serbëve. /InLajmi/