Për seancën e së premtes ku në rend dite do të jenë edhe projektligji për paga dhe ai për zyrtarët publikë, për Front Online ka folur edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.
Lekaj ka thënë se Qeveria Kurti dhe shumica Parlamentare e VV-së nuk i kanë dhënë trajtimin dhe vlerën e merituar në dobi të mirës publike.
Kurse, ka treguar se votimi i AAK-së, për këto 2 projektligje do të varet nga diskutimi në Kuvend të premten.
“Votimi dhe Orientimi i Deputetëve të Grupit Parlamentar të AAK-së do të varet nga diskutimi në Kuvend lidhur me këto Projektligje, arsyeshmëria e Qeverisë si dhe vendosja e brendshme e Grupit duke marrë parasysh mbrojtjen e Interesit Publik”, ka thënë ai.
Sipas tij, këto Projektligje janë shumë të paqarta, sepse tek Ligji i Pagave ne nuk dihet sa është vlera e koeficientit dhe vlera e pagave në tërësi, ndërsa tek Ligji i Zyrtarëve Publikë kemi interferim të drejtpërdrejt të politikës në administratë publike, ku përmes lëvizjeve dhe ndryshimeve synohet kapja e administratës publike e që kjo do të ndikojë në funksionimin e saj.
Lekaj ka shtuar se tentimet për ndryshime në 2 Projektligjet e cekura, nuk përkojnë me rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe raporteve e rekomandimeve tjera që u janë drejtuar Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik më 30 qershor të vitit 2020.
Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.
Më 6 dhjetor të vitit 2019, Ligjin për paga, në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhej “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.