Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas ngjarjeve të fundit në veri, ku u raportuar për disa shpërthime nga persona të paindentifikuar, përcjell InLajmi.
LDK ka dënuar sulmet e sotme dhe ka kërkuar që të gjithë ata që janë përfshirë të identifikohen dhe të vihen para institucioneve të drejtësisë, në njoftimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës u tha se institucionet e Kosovës duhet koordinuar me partnerët ndërkombëtarë për ofrimin e sigurisë për qytetarët e vendit.
Në njoftim gjithashtu thuhet se LDK-ja kërkon nga Qeveria qartësi dhe plan konkret sa i përket gjendjes në veri.
Njoftimi i plotë nga LDK:
Lidhja Demokratike e Kosovës po ndjek me shqetësim të thellë ngjarjet e fundit në veri të vendit, sulmet ndaj institucioneve dhe ndaj rendit kushtetues të Republikës.
LDK-ja dënon sulmet e sotme dhe kërkon që, të gjithë ata që janë përfshirë të identifikohen dhe sa më parë të vihen para institucioneve të drejtësisë.
LDK-ja vlerëson se në këto momente është e domosdoshme që institucionet e Kosovës, të koordinojnë të gjitha veprimet me partnerët tanë me qëllim të ofrimit të sigurisë për gjithë qytetarët e vendit dhe institucionet e pavarura. Qetësia, siguria dhe ushtrimi i sovranitetit në tërë territorin e vendit nuk kanë alternativë.
LDK-ja kërkon nga Qeveria qartësi dhe plan konkret për gjendjen në veri.
LDK – Zyra për Informim/InLajmi/