Ish-zv.kryeministri i Kosovës, Ramë Manaj tha se pa njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë një stabilizim dhe normalizim të plotë në mes të 2 vendeve.
Këtë deklaratë Manaj e bëri në emisionin “Respublika” në Tëvë1 duke diskutuar çështjen e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë dhe për mundësinë e një marrëveshje përfundimtare.
I pyetur për gatishmërinë e faktorit ndërkombëtar që Kosova dhe Serbia gjatë pranverës së ardhshme të gjejnë një zgjidhje për dialog, Manaj tha se ka gatishmëri dhe përkushtim mirëpo sipas tij afatet nuk është mirë të përkufizohen ose të përcaktohen në ndonjë absolutizëm asnjëherë sepse ato edhe mund të shtyhen.
“Në qoftë se vazhdon ky intensifikim kjo gatishmëri, ky përkushtim, mos të them ky presion i bashkësisë ndërkombëtare mbi të 2 palët në dialog… nuk ka nevojë që të ketë shumë kohë, mund të bëhet kjo edhe për pak muaj dhe mund të arrihet një marrëveshje e cila në interpretim të ofertës ose projektit gjermano-francez, do të ishte një zgjedhje paliative e cila zgjidh për momentin, përkohësisht por jo përfundimisht çështjen sepse mendoj se pa njohje reciproke në mes të 2 shteteve, asnjëherë nuk ka një stabilizim dhe normalizim të plotë në mes të 2 vendeve”, tha ai.
Tutje Manaj tha se marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë edhe garancën e madhe të ndërkombëtarëve.