Deputetja e PDK-së Vlora Çitaku, i ka dalë në mbrojtje analistes Zana Avdiut, pasi kjo e fundit mori shumë fyerje e kërcënime pas deklaratës për futbollistin Granit Xhakën, të cilin e quajti “rrugaç” për gjestin që bëri kundër lojtarëve serbë, përcjell InLajmi.
Çitaku thotë se Zana e ka të drejtën e pamohueshme ta shprehë mendimin e saj, pa marrë parasysh nëse i pëlqen dikujt ose jo.
Ajo bën thirrje që të mos kërcënohet në raste të tilla, pasi sipas saj fyerjet e kërcënimet nuk na çojnë askund.
Tutje, deputetja thotë se Granit Xhaka nuk bëhet as i madh e as i vogël nga statuset në facebook, sepse siç thekson ajo, vlerësimin për të e ka shprehur FIFA duke e shpallur “lojtar të lojës”.
Postimi i plotë i saj:
Linçimet, kërcënimet, fyerjet, histeria, nuk kanë me na çu askund. Qetësonu pak. Në rregull është mos me u pajtu të gjithë për gjithçka. Në fakt, shyqyr që mendojmë ndryshe.
Graniti nuk bëhet as më i madh e as më i vogël nga statusat tonë në Facebook. Vlerësimin për të e dha FIFA menjëhere pas lojës. U shpall lojëtar më i mirë i ndeshjes.
E ne jo rrallëherë u kemi vënë barrë të rëndë mbi supe sportistëve tanë. Barrën e historisë, barrën e vënjes së drejtësisë. Shumë presion i madh.
Granitit suksese në lojët e radhës, e ju gëzoftë zemra që po na bënë krenarë me fitoret e tij. A ka ma mirë, fëmijët sot në Kosovë i sheh me fanela të Xhakës, Shaqirit, Muriqit, Rashicës etj.
E Zana ka të drejtë të pamohueshme me e shprehë mendimin e vet, i pëlqeu dikujtë a jo. Kundëtshtone, po mos linçoni. Mos kërcënoni. /InLajmi/