Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i ka uruar mirëseardhjen drejtorit të përgjithshëm për Punë Evropiane në Ministrinë e Jashtme të Greqisë, Leonidas Rokanas, përcjell InLajmi.
Bislimi theksoi se objektivi final për Kosovën duhet të jetë integrimi në Bashkimin Evropian.
Në këtë takim është biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Greqisë.
Gjithashtu pjesë e këtij takimi ishte dhe shefja e Zyrës Ndërlidhëse greke në Kosovë, Heleni Vakali.
Postimi i plotë i tij:
I urova mirëseardhjen në Kosovë Drejtorit të Përgjithshëm për Punë Evropiane, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, Leonidas Rokanas. Takimin me z. Rokanas, e nisëm duke më rrëfyer se është i mahnitur nga pasuritë natyrore të Kosovës dhe siç ai e përkufizoi “erës evropiane që frynë në Kosovë”.
Vendet tona duhet të intensifikojnë punën dhe angazhimin me njëra-tjetrën. Objektivi final për Kosovën duhet të jetë integrimi në Bashkimin Evropian, perspektivë kjo e nisur në Selanik në vitin 2003 për Kosovën dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që të ecin së bashku në harmoni dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Tashmë po ndërmerret hapi i parë, që është ai i aplikimit për anëtarësim. Në ndërkohë, vendi po ecën përpara me ritëm të shpejtë në avancimin e agjendës evropiane dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian, ku dallohet puna e bërë nga Qeveria në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, demokratizimin e shumë fusha të tjera. Ne jemi të gatshëm, që përmes përkushtimit tonë, ta përshpejtojmë progresin në këto fusha dhe rrjedhimisht rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian.
Biseduam mbi bashkëpunimin dhe miqësinë mes Kosovës dhe Greqisë. Është e rëndësishme që vendet tona të vazhdojnë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe të zgjerojnë hapësirat e ndërveprimit, veçanërisht në sferat sociale, kulturore, por edhe në përballimin e sfidave të përbashkëta si kriza energjetike dhe tranzicioni drejt energjisë së gjelbër. Ky bashkëpunim i ngushtë do të kontribuonte në krijimin e urave mes vendeve dhe njerëzve tanë.
Në këtë takim ishte prezent dhe shefja e Zyrës Ndërlidhëse greke në Kosovë, znj. Heleni Vakali. /InLajmi/