Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ditën e premte bëri të ditur se kanë lansuar kurrikulën për trajnimin e profesionistëve për ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje, përcjell InLajmi.
Haxhiu tha se ky është hapi i parë institucional përmes së cilës synohet që kryerësit e veprave penale të dhunës të kenë trajtim psiko-social, përmes ofrimit të programeve adekuate.
Ministrja Haxhiu shtoi se kjo kurrikulë ka për qëllim edukimin dhe ndryshimin për të mirë të kryerësve të dhunës, shërbime të cilat ofrohen gjatë kohës sat ë akuzuarit e vuajnë dënimin me burgim.
Njoftimi i plotë nga Ministria e Drejtësisë:
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka lansuar “Kurrikulën për trajnimin e profesionisteve për ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje në Republikën e Kosovës”, i cili është hapi i parë institucional përmes së cilës synohet që kryerësit e veprave penale të dhunës të kenë trajtim psiko-social, përmes ofrimit të programeve adekuate.
I pranishëm në lansimin e Kuriklës, ishe edhe Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë z. Frank Power.
Në fjalën e saj, Ministrja Haxhiu tha se përgjatë vuajtjes së dënimeve, dhunuesit duhet të kenë trajtim psiko-social, përmes ofrimit të programeve adekuate ku edukohen dhe ndryshohen në të mirë, sjelljet e tyre të papërgjegjshme e të dënueshme.
Ministrja Haxhiu tha se Kurrikula e lansuar, buron nga Strategjia Kombëtare për Parandalim dhe Mbrojtje ndaj Dhunës në Familje dhe Dhunës ndaj Grave 2022-2026 si dhe është në përputhje me Konventën e Stambollit e cila përcakton se palët duhet të ndërmarrin masat e nevojshme legjislative ose masa të tjera për të krijuar ose mbështetur programe që synojnë edukimin e kryerësve të dhunës në familje.
Me lansimin e Kurrikulës sipas ministres Haxhiu, Ministria e Drejtësisë do të vendosë kornizat e zhvillimit, implementimit dhe ofrimit të programeve për kryerësit e dhunës në familje në Kosovë.
Ministrja Haxhiu tha se Kurrikula definon dhe përcakton këto elemente kryesore për ndërtimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje: principet, qasjet, strukturën, kohëzgjatjen, profilin e ofruesve të këtyre shërbimeve, dhe vlerësimin e programeve.
Gjatë këtij muaji, sipas ministres Haxhiu do të fillohet menjëherë me trajnimin e trajnerëve për ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje, bazuar në Kurrikulë.
Ministrja Haxhiu vlerësoi lartë mbështetjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, konsulentëve të angazhuar, partnerëve strategjik, përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë, OJQ-të, për hartimin e kësaj Kurrikule, duke vlerësuar se falë kontributit të tyre është krijuar një mekanizëm i mirë i cili ka munguar për të trajtuar dhe adresuar profesionalisht këtë çështje. /InLajmi/