Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas vrasjes së një gruaje shtatzënë nga burri në QKUK, përcjell InLajmi.
Krasniqi tha se krimi i cili ka ndodhur ditën e mërkurë, është tragjik, mizor dhe ç’njerëzor, ai i ka shprehur ngushëllime familjarëve për humbjen e tyre dhe në të njëjtën kohe u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë për ndërmarrjen e masave ndaj autorit.
Ai theksoi se dhuna me bazë gjinore është alarm urgjent për të gjithë shtetin andaj duhet të veprohet pa kompromis.
Postimi i plotë i tij:
Tragjike, mizore, çnjerëzore! Pa fjalë nga krimi në QKUK, ku një burrë dyshohet se ka vrarë ish-gruan e tij shtatëzënë. Ngushëllimet më të thella familjes për humbjen e familjares së tyre.
Megjithëse është vështirë të gjendet dënim që shpaguan këtë krim makabër, ftoj organet e drejtësisë të reagojnë me tërë fuqinë dhe kompetencën e tyre ndaj autorit.
E kam thënë ditë më parë, po e përsëris edhe sonte: dhuna me bazë gjinore është alarm urgjent për të gjitha institucionet e shtetit. Duhet të veprohet sot. Shpejtë. Pa kompromis!/InLajmi/