Të paktën 13 të burgosur u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi në një burg në Panama të martën.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, zyrtarët kanë thënë se kanë gjetur tri pushkë AK-47 dhe pesë pistoleta.
Presidenti Laurentino Cortizo tha që do të fillojë një hetim se si armët u futën në burgun e La Joyita në lindje të kryeqytetit, Panama City.
“Këto armë zjarri nuk erdhën nga qielli, padyshim që kishte një lloj bashkëpunimi atje për të futur armët e zjarrit”, tha ai.
Presidenti Cortizo ka shtuar se ai do të takohej me këshillin e tij të sigurisë për të diskutuar se si të ndalen armët që kontrabandohen në burg.
“Është diçka të cilën duhet ta ndalim. Disa javë më parë u krye një kontroll [në burg] dhe u gjetën armë, dhe tani përsëri, kështu që dikush po i lëshon këto armë”, tha ai.
Siç raportojnë mediat, të shtënat filluan në orën 14:00 me kohën lokale në qelinë 14. Megjithatë, asnjë i burgosur nuk shpëtoi gjatë përleshjes, thanë zyrtarët.
Zyrtarët e burgut thanë që të burgosurit janë vendosur në blloqe, sipas përkatësisë së tyre të bandave.
Ndërsa ndihmësi i drejtorit të Policisë Kombëtare të Panamasë, Alexis Muñoz, tha se përleshja ishte ndërmjet anëtarëve të së njëjtës bandë që kishin “një mosmarrëveshje të brendshme”, transmeton telegrafi.
Ndryshe burgu La Joyita thuhet se është famëkeq për mbipopullimin dhe se kjo është ndër luftërat më vdekjeprurëse të regjistruara në burg në vendin e Amerikës Qendrore.