Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ditën e merkurë i ka listuar 3 pyetje ndaj Qeverisë së Kosovës, një prej të cilave është dilema se a përfshihet njohja reciproke në marrëveshjen me Serbinë, përcjell InLajmi.
Gashi tha se përtej faktit që Amerika e di situatën në veri të Kosovës më mirë se sa pushteti, qeveria prapëseprapë e ka obligim që t`u përgjigjet 3 pyetjeve me rëndësi lidhur me marrëveshjen me Serbinë.
Postimi i plotë i tij:
3 pyetje që kërkojnë përgjigje nga pushteti
Përtej metaforave, përtej deklaratave populiste të dikurshme, përtej deklaratave të para disa dite që ishin në shpërputhje me sugjerimet e miqve të Kosovës, përtej asaj që u kuptua se Amerika ka informacion më shumë se pushteti për situatën në veri të shtetit, përtej të gjithave, kjo Qeveri e ka obligim që t’i përgjigjet këtyre 3 pyetjeve:
Në propozimin për marrëveshjen me Serbinë a parashihet njohja reciproke?
Kjo marrëveshje a parashihet të jetë ligjërisht e obligueshme?
A parashihet të jetë i përfshirë asociacioni në këtë marrëveshje, bazuar në dakordimin e fundit në Bruksel? /InLajmi/