Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i ka dhënë dekretin e shtetësisë shqiptare këngëtares me fame botërore, Dua Lipës, përcjell InLajmi.
Begaj e ka cilësuar Dua Lipën si “krenari shqiptare”, duke theksuar se ajo është simbol i talentit, punës së përkushtuar dhe shkëlqimit artistik plotësisht të merituar.
Rikujtojmë se Dua Lipa do të përmbyllë turneun e saj botëror “Future Nostalgia” në sheshin Skënderbej me 28 Nëntor.
Postimi i plotë i tij:
Dua Lipa është krenari shqiptare!
Kënaqësi e veçantë t’i dorëzoja dekretin e shtetësisë shqiptare këngëtares së talentuar dhe të famshme në të gjithë botën!
Në vigjilje të 110-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, nderojmë jo vetëm ato personalitete që në të shkuarën kontribuan dhe ndihmuan në krijimin e shtetit të ri shqiptar, por edhe të gjithë ata që me kontributin e tyre në çdo fushë të jetës i japin vlerë identitetin shqiptar dhe na bëjnë krenarë në çdo moment!
Një artiste si Dua Lipa është një pasuri e rrallë për botën e muzikës dhe në të njëjtën kohë një krenari e jashtëzakonshme për Shqipërinë, Kosovën dhe kudo ku flitet shqip.
Ajo është simbol i talentit, punës së përkushtuar dhe shkëlqimit artistik plotësisht të merituar! /InLajmi/