Për deklaratat që kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i ka dhënë për arritjen e marrëveshjes me VV-në nëse e marrin postin e presidentit, ka folur anëtarja e kryesisë së LVV, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë partia e saj ia ka bërë të qartë se ata janë të interesuar që në fillim të zgjidhen pozitat që tashmë kanë mbetura të zbrazura, si qeveria ashtu dhe Kuvendi.
Ajo ka potencuar se VV, në asnjë formë nuk do të barrikadohet në tema që mund të jenë në interes të vendit, sikur ajo e presidentit, por që sipas saj, fillimisht duhet të merren vesh për formimin e qeverisë dhe pozitave që tashmë nuk kanë udhëheqës.
Sipas Nagavcit, Vetëvendosje në asnjë formë nuk mund të pranojë kushte pa pasur fillimisht një bashkëpunim me LDK-në, dhe se ata janë të interesuar që të ndodhë koalicioni mes këtyre dy partive politike.
“Kryesia e LVV-së e ka autorizuar Grupin Punues, që të negociojnë me Lidhjen Demokratike, për arritjen e marrëveshjes. Ne nuk kemi dalur me asnjë deklaratë publike, që ne nuk flasim për asnjë pozitë që është me interes, qoftë edhe për presidentin. Ajo që kemi deklaruar është që ne fillimisht duhet të pajtohemi për të gjitha pozitat e lira, si ministrat, zv.ministrat e kryetarin e parlamentit dhe për temat tjera ti diskutojmë me mirëbesim. Ne nuk kemi barrikadim në asnjërin prej pozicioneve, por në anën tjetër sigurisht nuk mund të pranojmë kushte pa pasur një bashkëpunim me qëllim të arritjes së një marrëveshje, me qëllim të rezultatit që na kanë dhënë qytetarët më 6 tetor”, ka thënë Nagavci.
Sa i përket deklaratës së Mustafës, se nëse VV është e gatshme që tua jap postin e presidentit, ata janë të gatshëm që të mbeten me 4 ministri, Nagavci, ka thënë se e rëndësishme është që mes këtyre dy partive politike, tashmë është arritur marrëveshja për programin qeverisës dhe se siç ka thënë ajo, secili ministër, nga secila parti që të jetë do të punojë në bazë të atij programi, shkruan Gazeta Blic.

“Ne besojmë që bëhet fjalë për qeverinë Kurti dhe pavarësisht se kush do ti udhëheq ministritë, ato nuk do të jenë të ndara që kjo ministri është e VV-së e kjo e LDK-së. Tranformimi i qeverisjes do të bëhet duke e pasur një program qeverisës që tashmë jemi pajtuar me LDK-në. Personat përgjegjës që do udhëheqin do të bazohen në programin qeverisës, pavarësisht se prej cilit subjekt vjen ai”, ka thënë Nagavci.