Aktivistja për të drejtat e grave, Mirishahe Syla ka folur për dhunën në familje ndaj grave.
Syla ka thënë se shteti nuk duhet të kërkojë nga gratë që të raportojnë sepse sipas saj, tregon se sa përtac janë në punën e tyre.
Sipas saj, nga viti 2015 janë rritur raportimet për dhunën në familje.
“Shteti me kërku prej grave me raportu dhunën është kështu tamam me tregu se sa përtac janë me bë punën e tyre. Gratë munden të vazhdojnë të raportojnë dhe është me rëndësi të raportojnë mirëpo nuk është zgjidhje me dal njerëz të institucioneve publike që janë përgjegjës me adresu dhunën si krime të tilla ndaj grave me kërkesën për raportim, sepse raportimet bëhen dhe numrat i kemi. Prej vitit 2015 e tutje janë rritur raportimet shumë. Në 1000/2000 raste në vit të dhunës në familje , dhunë e burrave ndaj grave që raportohen, vetëm 40 % të rasteve përfundojnë në arrestime”, ka deklaruar ajo në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ajo thotë se kërkesa për raportim të dhunës nga institucionet e vendit si zgjidhje e problemit, tregon sesa jo seriozisht e marrin trajtimin e dhunës.
“Një kërkesë e tillë prej organeve që kanë fuqi ekzekutive për të raportuar dhunën si zgjidhje e problemit është një kërkesë përtace dhe tregon se sa jo seriozisht e marrin institucionet trajtimin e dhunës dhe rolin e tyre brenda këtij procesi”, shtoi Syla, shkruan Teve1.info
Sot është raportuar për një rast të vrasjes në Prishtinë, ku një burrë ka vrarë gruan e tij me sëpatë.