Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar së ka bërë ankesë në FIFA për veprimin agresiv të ekipit serb, i cili në ndeshje kundër Brazilit ka paraqitur retorikë shoviniste ndaj Republikës së Kosovës, përcjell InLajmi.
FFK-ja bën të ditur “incidenti” ndodhi para kësaj ndeshjes me Brazilin, derisa në zhveshtore të ekipit të Serbisë është vendosur një flamur me hartë të Kosovës, ku kanë qenë të paraqitura edhe ngjyrat e flamurit serb me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.
Federata e Futbollit të Kosovës ka thënë se akte të tilla shoviniste nuk kanë vend në ngjarjet sportive dhe ka kërkuar ga FIFA që të marrë sanksione ndaj veprimeve që nxisin urrejtje mes 2 popujve.
Njoftimi i plotë nga Federata e Futbollit të Kosovës:
Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se gjatë ditës së sotme ka paraqitur ankesë në FIFA për veprimin agresiv të ekipit kombëtar të Serbisë, i cili në ndeshjen kundër Brazilit, në kuadër të Kupës së Botës “Katar 2022” ka vazhduar me retorikën shoviniste ndaj Republikës së Kosovës. Para kësaj ndeshjeje, në zhveshtoren e kombëtares së Serbisë është vendosur një flamur, ku shihej harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb, me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.
Akte të tilla të shoviniste nuk kanë vend në një ngjarje sportive, e aq më pak brenda objekteve ku zhvillohet ngjarja më e madhe e futbollit botëror, prandaj FFK si anëtare e barabartë me të gjitha anëtaret e tjera të FIFA-s, kërkon nga ky institucion që të ndërmarrë masa sanksionuese ndaj veprimeve që nxisin urrejtje mes popujve dhe janë kundër vlerave njerëzore.
Futbolli si sporti më i popullarizuar në botë përçon vlera bashkimi dhe assesi përçarjeje, ndërsa ky akt agresiv nuk përkon me vlerat e tilla, prandaj edhe duhet të ndëshkohet.
Derisa Evropa e bota po ballafaqohen me një krizë të madhe si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, një kompeticion kaq madhështor siç është Kampionati botëror, duhet të jetë vend i mbizotërimit të thirrjeve për paqe, e jo të përdoret për të nxitur urrejte mes popujve.
Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, me respektim maksimal të të drejtave të njeriut dhe i pranuar nga shtetet më të fuqishme botërore dhe si e tillë do ta vazhdojë rrugëtimin e saj, pa marrë parasysh provokimet si ky i fundit.
Mirëpo, është e papranueshme që ky akt të kalojë në heshtje, prandaj kërkojmë fuqishëm që FIFA të zbatojë në përpikëri rregullat e saj dhe të ndëshkojë Federatën e Futbollit të Serbisë për këtë veprim agresiv dhe kundër vlerave që i përçon futbolli./InLajmi/