Projektligji për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve nga Trusti Pensional, pa mendim të Qeverisë iu është dërguar deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta shqyrtuar para se të hidhet në votim.
E ky Projektligj para se të shkoj në seancë, duhet që të diskutohet në komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, brenda 2 deri në 4 javë.
Afati për trajtimin e këtij Projektligji në komision përfundon të enjten.
E për vonimin e sjelljes së tij në komision, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se fajtor është kryetari i komisionit Armend Muja.
“Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, i ashtuquajturi deputet Muja, ai është duke e prolonguar qëllimisht kërkesën e qytetarëve për Trustin, ai është duke i shkelur mbi 21 mijë nënshkrime të qytetarëve të cilët e kanë ri iniciuar Projektligjin për Trustin”, tha Haxhiu për Front Online.
Ndërsa i pyetur se çfarë do të ndodh pas datës 24 nëntor nëse nuk trajtohet në komision ky Projektligj, deputeti Haxhu tha se kryetari i komisionit Armend Muja duhet të përgjigjet publikisht për shkeljen e rregullores së Kuvendit.
“Rregullorja e parasheh që një Projektligj kur iu shpërndahet deputetëve duhet të trajtohet 2 deri në 4 javë. Me 24 bëhen 4 javë pune që na u është shpërnda Projektligji dhe është data e fundit që do të duhet që sipas rregullores të trajtohet ky Projektligj. Z. Muja duhet të përgjigjet publikisht pasi që shkelja e rregullores së Kuvendi është e barabartë me shkeljen e kushtetutës së Kosovës, shkelja e rregullores është më e rënd se sa të shkelet një ligji”, u shpreh ai.
Se deputeti Armend Muja, është fajtor se Projektligji nuk po trajtohet në Komision e thotë edhe iniciuesi i këtij peticioni Adnan Jashari.
“Shqyrtimi i Projektligjit ne komision parlamentar po vonohet qëllimshëm sepse kryetar i komisionit për Buxhet, Pune dhe Transfere është deputeti i VV-se Armend Muja! Projektligji ka shkuar në duar të deputeteve si dokument, tash është koha të shqyrtohet në komision parlamentar”, deklaroi ai.
Jashari, tutje tha se nëse projektligji vonohet edhe më shumë, ata do t’i shkruajnë kryetarit të Kuvendit për t’i kërkuar sqarim.
“Nëse do te këtë vonesa te vazhdueshme do t’i shkruajmë kryetarit te Kuvendit të Republikës seë Kosovës Glauk Konjufca dhe t’i kërkojmë sqarime se çfarë po ndodh që po vonohet ne shqyrtim projektligji”, tha Jashari.