Në Rubikon në Klan Kosova, opinionisti Rrahman Paçarizi ka thënë se takimi i djeshëm i kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Shefit të Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe emisarit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka qenë vetëm për targat.
Ai theksoi se për këtë arsye edhe Borrelli është frustruar.
“Takimi i djeshëm ka qenë për çështjen e targave, dhe nuk ka pasur të diskutohet për diçka tjetër. Prandaj ka qenë frustrimi i zotit Borrell. Pozicionimi edhe i zotit Borrell edhe i zotit Lajçak, sado që duam të themi se janë përfaqësues të BE-së, ata përfaqësojnë edhe shtetet e tyre që nuk e kanë njohur Kosovën. Në mars 2020, zoti Thaçi e pat kritikuar zotin Lajçak pikërisht mbi këtë bazë. Nëse Lajçaku dhe Borrelli nuk ka arritur t’i bindin vendet e veta ta njohin Kosovën, si mund ta bindin Serbinë? Ky është mision i pamundur!!”, u shpreh Paçarizi, raporton Klankosova.tv.
Ndërkaq, në debat u tha se edhe ndërmjetësit amerikanë u panë me skepticizëm dhe “u luftuan” nga Kosova, duke iu lënë hapësirë ndërmjetësve të BE-së.
E Paçarizi tha se është gabim strategjik i Kosovës që të kërkojë alternativë tjetër përpos Amerikës.
“Kosova, në njëfarë forme, nuk e pa Amerikën si një partner të mjaftueshëm, e kërkoi edhe një alternativë tjetër. Është gabim strategjik i Kosovës të kërkojë alternativë tjetër përveç Amerikës. Serbia ka, ne nuk kemi”.
Në fund, ai ritheksoi se “takimi i djeshëm ka qenë vetëm për targat, dhe kushdo që ka dashur të fus diçka tjetër, ai është gabim”.