Ditëve të fundit është vërejtur një rënie e lehtë e çmimit të naftës.
Kryetari i Shoqatës të Naftarëve, Fadil Berjani ka thënë se arsyeja e rënies së çmimit është rritja e prodhimit nga organizata prodhuese OPEC.
“Në bursë kanë rënë çmimet dhe ka reflektuar edhe tek ne në Kosovë. Ndikim në rënien e çmimit ka edhe organizata prodhuese OPEC, që e ka shtuar prodhimin. Kur ka prodhim të rritur kemi rënie të çmimit dhe kjo është duke reflektuar edhe tek ne në Kosovë”, u shpreh ai.
Berjani theksoi se kosovarët janë duke u shërbyer me çmimet më të ulëta në regjion, përveç Maqedonisë së Veriut, shkruan Klankosova.tv.
“Tash nuk kemi çmim të imponuar apo çmim tavan, Kosova është treg i hapur dhe shteti më i vogël në botë, me më së shumti pika karburanti. Është një konkurrencë dhe garë e madhe për çmim. Oferta dhe kërkesa e krijon çmimin. Çmimet janë në rënie e sipër, qytetarët tanë janë duke u shërbyer me çmimet më të ulëta në regjion, përveç Maqedonisë së Veriut, e cila e ka akcizën e dizelit më të ulët se ne, për 22 cent. Lus qytetarët tanë që kur të shërbehen me derivate, të kërkojnë edhe kuponin fiskal”, tha Berjani.