Më 18 nëntor zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se kanë ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim për të gjetur zgjidhje për targat ilegale serbe.
Qeveria e Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se “me gjasë nesër do të ketë një takim në Bruksel” mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Kështu ka thënë më 19 nëntor, zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu, duke shtuar se do ta njoftojnë publikun kur të konfirmohet ky takim.
Pavarësisht se ende nuk është bërë publike agjenda, takimi pritet të përqendrohet në uljen e tensioneve mes 2 vendeve.
Peter Stano, ka thënë se kanë ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim për të gjetur zgjidhje për targat ilegale serbe.
“Ne i kemi ftuar të 2 palët me urgjencë në Bruksel për të gjetur zgjidhje evropiane, një zgjidhje evropiane për situatën aktuale, e cila është ndër më seriozet prej vitit 2013 dhe ky është qëllimi – që t’i kemi në Bruksel për të diskutuar me ta zgjidhjen”, ka thënë Stano.
Që nga 1 nëntori kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimit të planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.
Faza e parë e planit për targa përfshiu qortimin e shoferëve që ngasin makina me targa të paligjshme.
Sipas këtij plani, më 21 nëntor nis faza e 2-të e cila parasheh gjoba prej 150 euro, për të gjithë vozitësit e makinave me targa ilegale serbe.
Plani i Qeverisë parasheh që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa të Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.
Janë rreth 9.000 makina me targa të tilla që qarkullojnë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe që nga paslufta, më 1999.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë kërkuar Qeverisë që të mos nisë zbatimin e fazës së 2-të nga 21 nëntori.