Një grua 99-vjeçare, e cila besohet të jetë nxënësja më e vjetër në botë e shkollës 9-vjeçare, ka ndërruar jetë në shtëpinë e saj në Kenia.
Priscilla Sitienei filloi të kishte komplikime shëndetësore pas mësimit ditën e mërkurë. Ajo dhe nxënësit e tjerë 12-vjeçarë po përgatiteshin për provimet përfundimtare që do të fillonin javën e ardhshme.
Historia e Priscilla Sitienei frymëzoi realizimin e një filmi dhe mori lëvdata nga UNESCO.
Vitin e kaluar ajo tha se donte të motivonte nënat e reja që të ktheheshin në shkollë.
“Doja t’u tregoja një shembull jo vetëm atyre, por edhe vajzave të tjera në mbarë botën që nuk janë në shkollë dhe janë të paarsimuara, që pa arsimim nuk do të ketë dallim mes jush dhe një pule”, tha ajo për UNESCO vitin e kaluar.
Ndër të tjera, ajo ka shërbyer si mami për 65 vite në fshatin e saj Ndalat në Luginën e Riftit.
E njohur ndryshe me emrin “Gogo”, që në gjuhën keniane do të thotë gjyshe, në vitin 2015 ajo i tha BBC-së se më në fund po mësonte të lexonte dhe të shkruante, një mundësi që nuk e kishte kurrë si fëmijë, transmeton Opinion.al
Ajo u rrit në një Kenia të pushtuar nga britanikët dhe jetoi në një kohë kur vendi i saj luftonte për pavarësi.