Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe përfaqësuesit e ambasadave të SHBA-ve në vendet e rajonit, përcjell InLajmi.
Në këtë takim, presidentja Osmani ka folur rreth zhvillimeve të fundit në vend, ku ka theksuar se institucionet e Kosovës do të mbeten të angazhuara për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, gjithashtu të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Vjosa Osmani në këtë takim ka folur edhe për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik, atë rajonal si dhe në fushën e energjisë.
Njoftimi i plotë nga zyra e Presidences së Kosovës:
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim pune ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe përfaqësues të ambasadave të Shteteve të Bashkuara në vendet e rajonit.
Në fokus të takimit ishte partneriteti me Shtetet e Bashkuara, rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe në fushën e energjisë, bashkëpunimi rajonal, si dhe zhvillimet e fundit në vend, rajon dhe më gjerë.
Në lidhje me zhvillimet e fundit, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet tona mbeten plotësisht të angazhuara për të kontribuar në mënyrë aktive për paqe dhe siguri të qëndrueshme në vend dhe rajon, në bashkëpunim dhe koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar.
Presidentja Osmani ka nënvizuar përkushtimin e institucioneve të Republikës për partneritetin e palëkundur me Shtetet e Bashkuara, aleaten kryesore të vendit dhe popullit tonë. Në këtë drejtim, Presidentja ka theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe atë në fushën e sigurisë në mes të 2 vendeve. Në takim u diskutua edhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal./InLajmi/.