Pas shpërthimit fatal të një bombe në rrugën tregtare Istiklal, policia turke ka arrestuar shumë persona. Thuhet se sulmi ka lidhje me Partinë e ndaluar të Punëtorëve Kurdë PKK.
Ministri i Brendshëm turk, Süleyman Soylu, njoftoi herët në mëngjes të hënën se shërbimet e sigurisë kanë arrestuar dhjetëra persona që dyshohen për sulmet me lëndë shpërthyese në zonën e këmbësorëve në qendër të Stambollit.
“Sipas njohurive tona, organizata terroriste PKK është përgjegjëse për sulmin”, theksoi ai.
Në të njëjtën kohë, Soylu njoftoi hakmarrje.
Ministri i Brendshëm nuk ka konfirmuar ende deklaratat e mëparshme të presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe zëvendësit të tij Fuat Oktay se “një grua” ishte përgjegjëse për atentatin. Ndërkohë flitet për 21 arrestime të tjera.
Si pasojë e një sulmi me lëndë shpërthyese në shëtitoren Istiklal janë vrarë 6 persona të dielën, ndërsa janë plagosur më shumë se 80 persona të tjerë. Në kohën e sulmit në këtë shetitore kishte shumë njerëz. Ndonëse e dielë, dyqanet në këtë pjesë të Stambollit janë të hapura, shkruan DW.
Partia PKK, Partia e ndaluar e Punëtorëve të Kurdistanit, lufton kundër shtetit turk që nga mesi i viteve 1980. Në të kaluarën, ajo u fajësua vazhdimisht për sulme të përgjakshme. PKK është e klasifikuar edhe si një organizatë terroriste nga shumica e vendeve perëndimore, duke përfshirë SHBA-në dhe Gjermaninë.