Ligjit për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg përveç tjerash parasheh që të ketë edhe kufizime në sasi për një produkt që i shitet konsumatorit brenda periudhës së caktuar.
E për këtë ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, tha se me kufizim sasior dhe caktim të çmimeve bizneset e vogla nuk do të mund të mbijetojnë dhe sipas tij, ligji jo vetëm që është anti-Kushtetues, por edhe e dëmton ekonominë e tregut.
Ai shtoi se është për keqardhje që disa ekonomist thonë që na duhet një ligj i tillë.
“Kosova është shndërruar në hapësirë eksperimentale, në rendë të dytë agjenda politike është duke dominuar dhe problemet ekonomike po preken vetëm shkarazi dhe jo në substancë dhe në këtë drejtim rekomandimet e eksperteve po hasin në vesh të shurdhër”.
“Po e them me përgjegjësi se Ligji për produktet esenciale në rend të parë është anti-Kushtetues, në rend të 2të është një ligj i cili e dëmton ekonominë e tregut dhe në rend të 3të më vjen keq që shumë ekspert të ekonomisë dhe thonë që Kosovës i duhet një ligj i tillë, jo vetëm që po dëmtohet sektori privat por po dëmtohen edhe qytetarët e Kosovës dhe monitorimi i këtij ligji do të jetë i zbehët”, tha ai.
Gërxhaliu u shpreh se Kosova nuk ka nevojë për një ligj të tillë, por për mekanizma tjerë, duke shtuar se ligjet nuk duhet të jenë në interesa të partive politike, por të qytetarëve, raporton EO.
“Kosova ka mekanizma të tjerë dhe jo për një ligj të tillë. E para duhet të ketë një autoritet të konkurrencës, i cili është mjaftë aktiv duhet të shtohet numri i inspektoreve dhe mbi të gjitha duhet të mbështeten bizneset e vogla, me një ligj të tillë përveç kufizimit sasior dhe çmimeve për bizneset e vogla do të jetë e pamundur që të mbijetojnë, prandaj dua të besoj që do të ketë debat, analizë të mirëfilltë dhe ligjet e tilla nuk do të jenë vetëm në interesa të grupeve të partive politike, por duhet të mendohet që këto ligje të jenë në interes të qytetarëve, të shtetit dhe mbi të gjitha në interes të ekonomisë”, u shpreh ai.