Serbia dëshiron t’i gjejë interesat e përbashkëta me vendet perëndimore dhe marrëveshje rreth Kosovës, porse nuk mund ta lëshojë “dorën e vetme e cila e mban mbi greminë” për këtë çështje, e që është Rusia. Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, në një intervistë për redaksinë serbe të Zërit të Amerikës.
Sipas tij interes vital i BE-së është që Serbia të jetë anëtare e saj, por në të njëjtën kohë vendet perëndimore me politikën aktuale po e shtyjnë Beogradin drejt Moskës.
Ai ka thënë se Serbia mund të vendosë sanksione ndaj Rusisë, por nuk mund të heqë dorë nga Kosova.
Sipas tij fuqitë e mëdha të Perëndimit nuk e kuptojnë pozicionin e Serbisë për t’i vendosur sanksione Rusisë, por ‘as Rusia nuk e kupton pozicionin e Serbisë’.
Daçiq ka shtuar se fuqitë e mëdha mendojnë me logjikën e interesave të tyre, derisa Serbia me logjikën e interesit të vet.
I pyetur se ku bazohet se Rusia nuk do të ndryshonte qëndrimin e saj lidhur me Kosovën, e që aktualisht i përgjigjet Serbisë, në rast se interesat e saj do të imponoheshin ndryshe, Daçiq u përgjigj se secila nga fuqitë e mëdha e përdor argumentin që i përshtatet.
“Në këtë situatë Rusisë i konvenon të thirret në atë se ‘ku mundet Kosova, mundet Donbasi’. Në anën tjetër, Perëndimi thotë se kjo nuk është e njëjtë dhe se Kosova është rast ‘sui generis’ dhe ‘mos u krahasoni ju me Kosovën. Por as njëra dhe as tjetra nuk kanë të drejtë”, ka shtuar diplomati serb.
Ai ka thënë se Serbia pret të shohë se cili është interesi i përbashkët i Serbisë dhe Amerikës, teksa ka thënë se në rast se i vendosin sanksione Rusisë do të mbesin pa mbështetjen e aleatit të tyre të përhershëm në OKB.
I pyetur se cila do të ishte oferta më e mirë, ai ka theksuar se kjo do të ishte ‘një ofertë më e mirë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës’.
“Nuk mund të jetë oferta votoni për sanksione ndaj Rusisë dhe pika tjetër do ta pranojmë Kosovën në OKB dhe në Këshillin e Evropës. Ne, nuk ramë nga Marsi që të mos e dimë se cili është interesi ynë. Ky është një opsion i keq për ne”, është shprehur Daçiq.
Ai ka thënë se Serbia dëshiron marrëveshje, por se ‘askush nuk e lëshon dorën mbi greminë, derisa ta ketë një dorë tjetër’, transmeton Rtk.live.
“Përderisa problemi i Kosovës të jetë aktual, ne duhet të kujdesemi për ata që i mbështesin interesat tona rreth kësaj çështje”, ka përfunduar Daçiq.