Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, është shprehur i zhgënjyer nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, lidhur me organizimin dhe përkrahjen ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilët ka pothuajse një muaj që kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë.
Arifi ka thënë se nuk është parë ndonjë angazhim i Qeverisë Kurti ashtu siç kishte bërë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili dërgonte serbë me autobusë që të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit në Kosovë.
“Atë që e shoh nga Kryeministria jonë në Kosovë për mua është dëshpëruese sepse tërë kohën këto 30 ditët e fundit nuk është treguar zgjuarsi sa i përket organizimit dhe suportimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Do të mund të ndodhte njëjtë siç ka bërë Serbia, ka dërguar autobusë me serbë në Kosovë që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit në aso kohe, ne nuk kemi parë një angazhim të tillë të Qeverisë së Kurtit në 30 ditët e fundit përveç një video në fillim dhe statusit që e ka shënuar sot në përfundimin e këtij procesi”, ka thënë Arifi.
Sipas tij, të dhënat janë të mira në përgjithësi sepse siç thotë Arifi, ka pasur një dyfishim të popullsisë në komunën e Preshevës dhe një angazhim në gjithë Luginën për të rritur numrin edhe më shumë.