Qeveria e Kosovës ka ndarë 92 mijë euro për Samitin e Ballkanit Perëndimor ‘’The Western Balkans Summit 2022’’, raporton InLajmi.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, para kabinetit qeveritar arsyetoi mbështetjen financiare për Samitin, organizim i revistës prestigjioze The Economist, që u mbajt dje në kryeqytet, ndërsa theksoi se mjetet janë ndarë nga kategoria e shpenzimeve të pa parashikuara.
“Bizneset kosovare kanë dhënë kontribut për ta mbështetur këtë konferencë, por meqenëse ka nevojë edhe për mjete shtesë, pjesën e mbetur prej 92 mijë eurove kërkojmë që ta miratojmë me anë të këtij propozimi”, tha Murati.
Ministri tha se konsideron se kjo është “një shumë simbolike për të mbështetur konferenca të tilla edhe në të ardhmen”.
Kujtojmë se të martën në Prishtinë është mbajtur Samiti i Ballkanit Perëndimor i organizuar nga “The Economist”./Inlajmi/