Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ATK-ja ka ndërmarrë një varg reformash që synim kanë përmirësimin e performancës në përgjithësi, me theks mbledhjen e borxheve, raporton Inlajmi.
Ai ka lavdëruar punën e Administratës Tatimore të Kosovës për performancë të mirë, pa afera korruptive, derisa kjo tha Kurti është motiv që qytetarët të paguajnë tatimet dhe t’i besojnë institucioneve të tilla.
“Falënderoj partnerët tanë si Fondin Monetar Ndërkombëtar që janë hisedarë të këtyre zhvillimeve në kuadër të administratës tatimore. Mbi 500 milionë tatime janë inkasuar në vitin 2022. Ndër reformat është ajo për mbledhjen e konsolidimin e borxheve”, u shpreh kryeministri Kurti.
Nga ana e tij, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se bashkëpunimi i ATK-së me institucionet e tjera ka bërë që të ketë performancë më të mirë të të hyrave.
“ATK ka treguar performancë në realizimin e të hyrave tatimore. ATK-ja ka shënuar progres edhe sa i përket reformës në mbledhjen e borxheve. Së fundmi si ministër do të vazhdojë mbështetjen për ATK-në që synojnë rritjen e efikasitetit”, tha Murati.
Jana Repansek, drejtoreshë e CEF-it tha se ATK-ja, ka bërë hapa të mirë drejt zhvillimit, ndërsa ofroi mbështetje ekspertësh për ta ndihmuar në fushën e tatimeve.
“Unë dhe kolegët e mi jemi të lumtur që jemi në Kosovë. Jemi të angazhuar për të mbështetur zyrtarë publik në mënyrë që të veprojmë me njëri-tjetrin. ATK-ja po ndërmerr hapa të rëndësishëm. Së bashku kemi krijuar ekspert në sektor publik që kërkojnë mbështetje të veçantë. Tashmë po fokusohem në ekspertët tatimor”, tha Repansek.
Ilir Murtezaj, drejtori i ATK -së, tha se reformat kanë bërë ndryshim në rritjen e të hyrave.
“Reformë që padyshim ka pasur te rritja e hyrave tatimore. Ne kemi miratuar planin strategjik për përmirësimin e mbledhjes së të hyrave. Shtytësit për mbledhje të borxheve janë niveli i ulët i inkasimit të borxheve, dhe rritja e stokut të borxheve”, tha Murtezaj./InLajmi/