Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas hapjes së Samitit të Ballkanit Perëndimor, tha se nuk do të ketë afat shtesë për qytetarët serb për t’i konvertuar targat e tyre RKS, raporton InLajmi.
Sipas tij, shtyrja ka ndodhur atëherë kur është zgjatur afati deri me 1 nëntor
“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje më 31 korrik. e kemi shtyrë për një muaj dhe në vend se të jetë më 1 tetor është data 1 nëntor, pra data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilat kanë automjete me targa të stërvjetëruara të kohës së Millosheviqit, do të kenë mundësi t’i konvertojnë ato në targa legale”, tha Kurti.
Shefi i ekzekutivit të vendit u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të shfrytëzojnë afatin për t’i konvertuar targat ilegale në RKS.
“Fushata vazhdon, përmes mediave, takimeve me të gjithë akterët që targat RKS të shtohen e ato KM të hiqen. Ne bëjmë më të mirën e mundshme duke mos kursyer energjinë. Këto nuk janë masa kundër serbëve, por për serbët. Jemi të interesuar që të gjithë të jemi të barabartë”, u shpreh Kurti, duke shtuar se vendimi për targat nuk është inat e as hakmarrje.
“Nuk është as hakmarrje, as inat, e as urrejtje. Por, zbatim i ligjit. Kur aleatët e partnerët tanë na japin sugjerime ne i marrim ato shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, theksoi shefi i ekzekutivit të vendit.
Kujtojmë se shtyrjen e afatit për targat për 10 muaj, Kosovës i kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, pasi kanë thënë se nuk duan tensionim të situatës në veri.