Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, tha të hënën se nga mesi i nëntorit apo fillimi i dhjetorit mund të ketë një votim të radhës në Këshillin Evropian për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, raporton InLajmi.
Ajo, në një konferencë për media në Kosovë, ka deklaruar se kufizimet për lëvizjen e kosovarëve duhet të hiqen meqë janë përmbushur të gjitha kriteret dhe kërkesat e BE-së.
“Shpresojmë që të kemi një datë për liberalizim shumë shpejt. Ende nuk është marrë një vendim i qartë, do të ketë një votim kah mesi i nëntorit dhe fillimi i dhjetorit, po punojmë të shohim një votim pozitiv që qytetarët e Kosovës e meritojnë moti, nuk mund të ia shpjegosh askujt”,u shpreh Von Cramon.
Ajo tha se po vuan për mosliberalizimin e vizave për kosovarët dhe është e pashpjegueshme pse po ndodhë kështu kur kriteret janë plotësuar.
“Të gjitha kriteret janë mbushur, edhe unë po vuaj sa secili prej jush, dhe nuk arsyetohet kjo. Të shohim rezultatet pa ndonjë kushtëzim”,tha Cramon./InLajmi/