“Nëse dëshirojmë të mirëmbajmë paqen, mund ta bëjmë vetëm nëse gratë janë në tavolinat vendimmarrëse”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani hapi punimet e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Forumi, i njohur si WPS, po mbahet për herë të parë në Kosovë dhe organizimi i tij kishte qenë zotim i Kosovës në kuadër të Samitit për Demokraci që u mbajt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 2021.
Në fjalimin hapës, Osmani u shpreh e pikëlluar për faktin se ish-sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq në mars të këtij viti, nuk mund të shohë organizimin e këtij forumi.
“Znj. Albright është planifikuar të jetë folësja kryesore. Albright do të mbetet një figurë historike për këtë vend për kontributin që ka dhënë për sigurinë e paqen”, tha Osmani.
Osmani tha se folësit e panelet e këtij forumi kanë për qëllim diskutimin mbi gratë dhe rolin e tyre në zona të konfliktit.
“Kemi këtu përfaqësues të Ukrainës dhe gazetare nga Ukraina. Ajo që po e dëshmon vendi juaj na e kthen kujtesën tona të luftës”, tha Osmani duke përmendur pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës që nisi më 24 shkurt të këtij viti.
Ajo përmendi edhe kontributin e grave kosovare para, gjatë dhe pasluftës në Kosovë që u zhvillua në fund të viteve 90’ si dhe rëndësinë e barazisë së grave në përparimin e shteteve.
“Historia e Kosovës është historia e secilës grua që e ka hequr një gur nga rruga drejt barazisë”, tha Osmani.
Sipas agjendës zyrtare, Forumi në edicionin e parë të tij do të mbledhë 126 folës nga 33 shtete, 6 kontinente dhe mbi 400 pjesëmarrës, të cilët gjatë dy ditëve do të trajtojnë çështje që ndërlidhen më gratë, paqen dhe sigurinë.
Në këtë Forum, pritet të marrin pjesë liderë botërorë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj dhe përfaqësues nga grupe të tjera të interesit.