Deputeti nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ka ngritur shqetësimin për mosliberalizimin e vizave, ndërsa ka kërkuar që kryekuvendari Glauk Konjufca ti drejtohet Presidencës çeke për sqarim lidhur me vendimin e mosliberalizimit të vizave, raporton InLajmi.
“Në kryesi e kam ngritur çështjen e vizave dhe kam kërkuar që Kuvendi përmes kryetarit t’i adresohet Presidencës çeke dhe kryeparlamentarëve të vendeve anëtare me një kërkesë të thjeshtë që lidhet me një mos vendim për liberalizimin e vizave, e që për neve është diskriminim klasik”, ka thënë Tahiri.
Deputeti Tahiri, po ashtu foli rreth ligjit të Pagave, për çka tha ai se partia e tij kërkon miratimi e këtij ligji në Kuvend, pasi sipas tij ky ligj ka përfunduar procesin e konsultimit dhe se nuk mund të shtyhet për miratim deri në vitin e ardhshëm.
“Ligji i Pagave e ka përfunduar procesin e konsultimit dhe ky ligj ende nuk vjen për miratim në Kuvend. Mosardhja e këtij ligji nënkupton shtyrje edhe për 1 vit për zbatim. AAK-ja kërkon që të vjen në Kuvend ligji. Me ecurinë aktuale, ky s’ka mundësi të futet në miratim më 1 janar”, shtoi ai.
Tutje, Tahiri ka shtuar se çështja e Ligjit të Pagave duhet të ketë një adresim serioz në Kuvend.
“Heshtja e Kuvendit nuk është e drejtë dhe për këtë arsye e ngrita këtë çështje që të ketë adresim serioz. Heshtja jonë nuk i bënë hajr dhe nderë Republikës së Kosovës”, deputeti i AAK-së.
Ndryshe kujtojmë se për liberalizimin e vizave Kosovës i kërkohet realizimi i disa kritereve, ndër to edhe aplikimi i sistemit ETIAS/InLajmi/