Sot ka filluar punimet seminari i 102-të i Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor, raporton InLajmi.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në fjalimin e tij tha se Kosova është rreshtuar fuqishëm me botën demokratike duke theksuar koordimin e Kosovës me politikat e BE-së dhe SHBA-së kundër Federatës Ruse.
Republika e Kosovës natyrshëm dhe fuqishëm është rreshtuar me botën demokratike. Ne si shtet jemi absolutisht të koordinuar me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Federatës Ruse. Ne kuptojmë nëpër çka po kalon populli i Ukrainës si askush tjetër meqë vetë ishim një popull që u sulmua në vendin e vetë nga Serbia e Millosheviqit në vitin 1998. Edhe Millosheviqi mendonte se Kosova nuk ishte djepi i popullit që jetonte këtu por thoshte se ishte zemra e Serbisë. Ai mendonte që Kosova dhe populli i saj nuk duhej të ekzistonin, njëjtë mendon edhe Putini për Ukrainën…”
Gjithashtu Konjufca theksoi se Kosova do t’i kryejë të gjitha reformat e nevojshme për t’u bërë anëtare e NATO-s. Ai tha se së bashku do ta kthejmë FSK-në në ushtri bashkëkohore dhe të integruar plotësisht në NATO.
“Kosova mbetet e përkushtuar për një bashkëpunim të ngushtë me Aleancën Veri-Atlantike. NATO-ja kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë e shtetit tonë. Duke u nisur nga gjendja e sigurisë në botë, shtetet që kontribuojnë përmes trupave ushtarake në KFOR po e shtojnë edhe praninë e tyre këto ditët e fundit edhe në Kosovë. Kosova do t’i kryejë të gjitha reformat e nevojshëm që një ditë të bëhet anëtare e NATO-s. Së bashku do ta kthejmë edhe FSK-në në një ushtri bashkëkohore dhe të integruar plotësisht në NATO-n, aleancën më të fuqishme të shteteve demokratike. /InLajmi/